Telegrafi

Andrew Tate dhe vëllai i tij arrestohen sërish në Rumani, akuzohen për trafikim dhe shfrytëzim seksual të dy vajzave – njëra 15 dhe tjetra 17 vjeçare

Vëllezërit Tate po hetohen lidhur me pretendimet se një vajzë 17-vjeçare është trafikuar në Britani dhe është detyruar të “kryejë akte seksuale për të prodhuar materiale pornografike”.

Drejtoria Rumune për Hetimin e Krimeve të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT) njoftoi të enjten se njëra nga viktimat e dyshuara, 17 vjeçe, është “mashtruar” dhe është mbajtur në disa lokacione në Rumani dhe Britani të Madhe. Sipas pretendimeve, ajo është detyruar të kryejë akte seksuale, ndërsa materialet pornografike janë shpërndarë në disa faqe interneti, shkruan The Sun.

Policia rumune gjithashtu pretendon se njëri nga të pandehurit kishte “marrëdhënie seksuale” me një vajzë 15-vjeçare nga dhjetori i vitit 2020. Dy të pandehurit akuzohen nga prokurorët se kanë blerë makina luksoze “në emrat e personave të afërt” për të fshehur fitimet e përfituara nga trafikimi i qenieve njerëzore, sipas autoriteteve.

Foto: Reuters

Ata pretendohet se kanë përdorur metodën “loverboy”, ku tërhiqnin vajzat që të binin në dashuri me ta, më pas i rekrutonin dhe i zhvendosnin në shtëpi të ndryshme për të bërë pornografi. Materialet pastaj transmetoheshin në disa platforma, ku shikuesit paguanin një tarifë për të parë.

Autoritetet rumune thonë se janë gjithsej 34 viktima të dyshuara, të cilat ishin në një “gjendje të dukshme të cenueshme”. Prokurorët pretendojnë se të pandehurit kanë fituar 2.8 milionë dollarë (2.1 milionë funte apo 2.5 milionë euro) “nga shfrytëzimi seksual i viktimave”.

Foto: AP

Që kur u arrestuan fillimisht në dhjetor të vitit 2022, vëllezërit Tate kanë mohuar fuqishëm të gjitha akuzat e ngritura kundër tyre. Andrew Tate beson se ata janë viktima të “Matrix-it” – një term që ai përdor për të përshkruar një ‘ndërmarrje’ që ndëshkon ata që nuk përputhen me rregullat.

Vëllezërit u arrestuan të mërkurën mbrëma pasi policia rumune kontrolloi katër prona në të gjithë vendin. Ata mund të mbahen ligjërisht për 24 orë, por për të vazhduar më tej, nevojitet miratimi i një gjyqtari për arrest parandalues, që mund të zgjasë edhe 30 ditë të tjera.

Në një deklaratë të DIICOT thuhet: “Si rezultat i kontrollit të shtëpive, janë gjetur dhe konfiskuar rreth 26,000 euro, 81,000 lei, 5,800 funte dhe 6,400 dollarë, dy ora luksoze, laptopë, njësi ruajtjeje të dhënash, dokumente dhe prova të tjera”.

Një sekuestrim sigurimi është vendosur mbi 16 vetura dhe një motor, të gjitha nga kategoria e luksit.

Foto: AP

Andrew Tate, vëllai më i njohur, është një ish-kikboksier që u bë i famshëm duke projektuar një personazh ultra-maskulin në rrjetet sociale. Ai është vetë-shpallur mizogjenist dhe është një figurë përçarëse që ka bërë deklarata famëkeqe duke thënë se gratë duhet të “mbajnë përgjegjësi” për t’u dhunuar seksualisht.

Ai u ndalua në disa platforma të rrjeteve sociale, por së fundmi u rikthye në X (ish-Twitter), ku ka gati 10 milionë ndjekës. Andrew i tha gazetarëve se prokurorët ishin “të dëshpëruar” ndërsa ai u fut në një furgon policie të mërkurën mbrëma.

Foto: AFP

Një gjykatë në Bukuresht ka ndaluar vëllezërit të largohen nga Rumania ndërsa presin gjyqin për trafikim. Kjo ka përmbysur një vendim të mëparshëm në korrik që u lejonte të udhëtonin brenda BE-së.

Data e gjyqit ende nuk është caktuar. Shtetasit britaniko-amerikanë, të rritur në Luton, gjithashtu janë të kërkuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi katër gra i kanë akuzuar ata për përdhunim dhe dhunë seksuale. Gjykata e apelit në Bukuresht ka miratuar një kërkesë britanike për ekstradimin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar pasi të përfundojnë procedurat ligjore në Rumani. /Telegrafi/

Foto: EPA/Robert Ghement