Site icon Telegrafi

“Përkufizimi i dashurisë”

Andrew Marvell

Poezia e Marvellit, shqipërimi dhe një analizë …

Nga: Alfred Kola

***

Përkufizimi i dashurisë

Nga: Andrew Marvell (1621-1678)

Kjo dashuri e rrallë krijimi;
Synon çudi e lartësi;
Që pati lindur nga Dëshpërimi
Edhe mbi një Pamundësi.

Dhe veç shpirtmadhi Dëshpërim
K’të gjë hyjnore mund të ma shfaqë
Ku Shpres’ e mekur s’merr fluturim,
Dhe krahët kot do t’i përplasë .

Dhe ende mund të arrij shpejt
Ku është fiksuar shpirti im,
Por Fati hyn si pykë në mes,
Përherë aty në vetështrëngim.

Se Fati sheh me sy xheloz
E s’lë të qasen dy dashuri;
Bashkimi i tyre atë gropos,
Dhe ja rrënon atë fuqi.

Ndaj me dekretet si çelik
Që pol më pol na ka caktuar,
(Dashuri bote mes nesh vërtit)
S’jep mundësi për t’u qafuar;

Në s’bie poshtë parajsë e bukur,
Me spazmë tokën ta grisë në mes;
Të na bashkojë dhe botë e duhur
Të jetë e tkurrur të bëhet shesh.

Në linja të kithta dashtnia çel
Dhe në çdo kënd veten puthit;
Por tonat janë në paralel,
S’takohen as në infinit.

Ndaj dashuria që na bashkon,
Por refuzon xhelòzi Fat
Është vetëm lidhj’e mendjes sonë,
Dhe kundërshtim i yjeve lart.

***

Poezia “Përkufizimi i dashurisë” është përshkrim i keqardhur i dashurisë në jetën e personazhit poetik. Personazhi poetik është vetë poeti, Andrew Marvell. Ai jep përkufizimin subjektiv të dashurisë nga këndvështrimi i të dashuruarit të dëshpëruar. Çështja kryesore që shqetëson poezinë është sa e mjerueshme është jeta e tij, pa rrezet e buta të dashurisë. Mirëpo, poeti nuk flet vetëm për pikëllimin e tij, por jep edhe arsyet. Këto arsye janë burimi i vetëm për të ndjerë atë që folësi ndjeu në jetën e tij.

Përmbledhje

“Përkufizimi i dashurisë” paraqet rrëfimin e poetit të dashuruar dhe përkufizimin e tij për dashurinë.

“Përkufizimi i dashurisë” flet për natyrën e dashurisë, e cila ekziston midis poetit dhe të dashurës së tij. Poeti e konsideron këtë dashuri të përsosur dhe për këtë arsye të paarritshme. Në poezi, poeti, para së gjithash i njeh lexuesit me prejardhjen e kësaj dashurie. Kjo dashuri, thotë poeti, është e rrallë. Është ngjizje e martesës midis “Dëshpërimit dhe Pamundësisë”. Vetëm Dëshpërimi mund të krijonte këtë dashuri hyjnore. Në kësisoj dashurie, “Shpresa” do të ishte krejtësisht e kotë, sepse kjo dashuri nuk mund të arrihet kurrë.

Poeti, në vargjet e mëpasshëm tregon se përgjegjës është “Fati” armiqësor që nuk lejon bashkimin e tij me të dashurën. Fati i ka veçuar dy të dashuruarit “pol më pol”. Dashuria mund të përmbushet vetëm nëse planetet shemben dhe nëse toka copëtohet nga ndonjë konvulsion i dhunshëm. Në pamundësinë për t’iu afruar të dashurës së tij, ai e përkufizon dashurinë si “lidhje e mendjes” dhe “kundërshtim i yjeve”.

Struktura dhe forma: “Përkufizimi i dashurisë” ka të njëjtën formë të strofës siç është përdorur në poezitë “Vajtim” dhe “Kositësi i xixëllonjave”. Çdo varg i poezisë është tetërrokësh dhe përbën një tetrametër jambik. Të gjitha vargjet alternative të poemës rimojnë. Të tria poezitë janë dukshëm të shkurtra. Kjo poemë ka tetë strofa, ndërsa dy të tjerat kanë respektivisht nëntë dhe katër. Ajo që e dallon këtë poezi nga poezitë e lartpërmendura është besimi, toni kumbues dhe shpejtësia e jashtëzakonshme e mjeteve poetike.

Temat: “Përkufizimi i dashurisë” përmban disa tema. Më e rëndësishmja është dashuria. Poeti përshkruan karakterin e dashurisë së tij për të dashurën. Sipas poetit, kjo dashuri është e përsosur, për pasojë e paarritshme; është hyjnore e rrjedhimisht e pashpresë. Dashuria perfekte është e padëshirueshme për “Fatin”, i cili kurë nuk lejon bashkimin e të dashuruarve. Kjo dashuri e përsosur mund të nënkuptojë vetëm bashkimin shpirtëror, por kurrsesi bashkimin fizik. Kjo dashuri është “lidhja e mendjes dhe kundërshtimit të yjeve”.

Temë tjetër e rëndësishme është trishtimi. Personi poetik ngurtësohet me kalimin e kohës. Zemra e tij e di mirë, se është e pamundur të arrijë atë që dëshiron, ndonëse ai dëshiron përmbushjen e dashurisë së tij. Tema e pikëllimit merr përfaqësim unik. Pikëllimi i poetit del nga një zemër e mençur dhe me përvojë. Prandaj në poezi mjedisi është i qetë dhe i ftohtë. Poeti e krijon këtë mjedis duke zbatuar emocione të kontrolluara për të shprehur trishtimin.

Toni dhe disponimi: “Përkufizimi i dashurisë” ka një ide shumë të thjeshtë, por ideja shprehet përmes imazheve të nxëna, kështu që kërkohet që studiuesi të shpjegojë kuptimet dhe nënkuptimet e vargjeve të poezisë. Megjithatë, disa nga vargjet bëjnë thirrje të drejtpërdrejtë për shkak të thjeshtësisë së tyre. Për shembull, psikologjia e dëshpërimit në strofën e dytë korrespondon ngushtë me përvojën njerëzore. Po kështu, strofa e tretë dhe e katërt janë shumë të lehta për t’u kuptuar, sepse lexuesit janë të njohur me konceptin e Fatit armiqësor. Antagonisti në historinë e dashurisë së poetit është “Fati” i cili nuk lejon të bashkohen të dashuruarit e përsosur.

Megjithëse dashuria e përshkruar në poezi është e përsosur, dhe për këtë arsye ideale, poezia është dëshpëruese. Nuk ka asnjë notë ngazëllimi dhe asnjë ndjenjë triumfi në mospërmbushjen e dëshirës së poetit. Më së shumti, lexuesit kanë ndjenjë të ndrydhur kënaqësie nga mospërmbushja e dashurisë. Theksimi i përsëritur i keqdashjes së Fatit është shumë pesimist. Në poezi mbizotëron dëshpërimi, pavarësisht nga një ndjenjë e qetë kënaqësie në fund.

Poema përmban një sërë pohimesh metafizike, të cilat mund të përcaktohen më së miri nga vargjet si “…lindur nga Dëshpërimi dhe mbi një Pamundësi”. Ideja është se dashuria e poetit është e paarritshme, por për të shprehur këtë ide, poeti personifikon “Dëshpërimin” dhe “Pamundësinë” dhe imagjinon se dashuria e tij është ngjizur prej tyre.

Poezia shtron pohime metafizike kur poeti thotë: Dashuria e tij mund të arrihet vetëm nëse plotësohen tre kushte: së pari, planetët që rrotullohen, duhet të shemben; së dyti, toka duhet të copëtohet nga ndonjë konvulsion i ri; dhe së treti, e gjithë bota duhet të rraset ose të rrafshohet në një planet. Duke qenë se këto tre kushte janë të pamundura të përmbushen, të dashuruarit nuk mund të bashkohen.

Një pohim tjetër ndodh te strofa në të cilën poeti i krahason dashuritë mes tij dhe të dashurës si dy linja paralele që nuk mund të takohen kurrë. Vetëm linjat e zhdrejta takohen në të gjitha këndet gjeometrike. Kështu mund të kënaqet vetëm pasioni i fajit ose i të dashuruarve kurorëshkelës. Dy vargjet mbyllës të poemës përmbajnë edhe një tjetër pohim metafizik.

Dashuria, që bashkon poetin me të dashurën, ka “Lidhjen” e vërtetë të “mendjes”. Dashuria që “refuzon xhelozi Fat” ka “kundërshtimin e yjeve”. Yjet futen si aleatë të Fatit. Kundërshtia dhe bashkimi janë antonime, por këtu nuk janë thjesht metafora astronomike, pavarësisht imazheve astronomike të stofave V dhe VI.

Analizë përmbledhëse e shpjegimeve të mësipërme strofë pas strofe..

Strofa e parë:

Kjo dashuri e rrallë krijimi;
Synon çudi e lartësi;
Që pati lindur nga Deshpërimi
Edhe mbi një Pamundësi.

“Përkufizimi i dashurisë” nga Andrew Marvell jep paraprakisht idenë për dashurinë e poetit. Sipas tij, dashuria shpërthen nga një burim i rrallë. Objektivi i dashurisë së poetit është i çuditshëm dhe sublim. Në fund, poeti i referohet origjinës së dashurisë. Ajo është ngjizje mes “dëshpërimit” dhe “pamundësisë”. Këto dy fjalë tregojnë konceptin e poetit për dashurinë. Kjo strofë është edhe reference për gjendjen mendore të poetit.

Strofa e dytë:

Dhe veç shpirtmadhi Dëshpërim
K’të gjë hyjnore mund të ma shfaqë
Ku Shpres’ e mekur s’merr fluturim,
Dhe krahët kot do t’i përplasë.

Në strofën e dytë, poeti mendon se vetëm dëshpërimi “madhështor” dhe i vendosur mund të ngjizë tek ai një ndjenjë kaq fisnike si dashuria. Në rastin e tij, ndjenjat e dashurisë rezultuan të dobëta. Këtu poeti përdor shëmbëlltyrën e një zogu me krahë të guximshëm, por të dobët për ta krahasuar me shpresën e dashurisë së tij. Zemra u përpoq t’i premtonte përmbushje, por përpjekja rezultoi e kotë. Kështu poeti mendon se dashuria s’mund të përmbushet kurrë.

Strofa e tretë:

Dhe ende mund të arrij shpejt
Ku është fiksuar shpirti im,
Por Fati hyn si pykë në mes,
Përherë aty në vetështrëngim.

Në strofën e tretë, poeti thotë se mund të kishte arritur shpejt në destinacion, por “Fati” i nxori pengesa dhe e mbajti larg së dashurës. Këtu poeti përdor metaforën e marangozit që fut hekurin në trungun e drurit për ta ndarë më dysh. Poeti e paraqet këtë imazh për ta krahasuar me fatin e tij.

Strofa e katërt:

Se Fati sheh me sy xheloz
E s’lë të qasen dy dashuri;
Bashkimi i tyre atë gropos,
Dhe ja rrënon atë fuqi.

Në strofën e katërt, poeti jep arsyen e dështimit të tij në gjetjen e shpirtit binjak. Sipas tij, Fati, i personifikuar, i shikon dy të dashuruarit gjithmonë me sy armiqësor. Nuk i lë të bashkohen. Nëse dy të dashuruar të përsosur bashkohen, pra poeti dhe e dashura i tij, lidhja do të ishte katastrofike për Fatin. Dashuria e vërtetë, mes dy shpirtrave, do ta mënjanonte autoritetin e tij diktatorial.

Strofa e pestë:

Ndaj me dekretet si çelik
Që pol më pol na ka caktuar,
(Dashuri bote mes nesh vërtit)
S’jep mundësi për t’u qafuar;

Sikundër poeti e ka përmendur edhe më herët, dekretet e papërkulura dhe të rrepta të Fatit e kanë mbajtur të ndarë nga e dashura. Këtu poeti përdor pohimin e tij të famshme metafizik mbi “Polin e Veriut dhe Polin e Jugut”. Ashtu si dy polet nuk mund të afrohen, poeti dhe e dashura e tij nuk mund të bashkohen. Edhe pse të dy polet janë strumbullari, rreth të cilit rrotullohet e gjithë bota e dashurisë, të dashuruarit nuk mund të qëndrojnë bashkë për shkak të mizorisë së Fatit.

Strofa e gjashtë:

Në s’bie poshtë parajsë e bukur,
Me spazmë tokën ta grisë në mes;
Të na bashkojë dhe botë e duhur
Të jetë e tkurrur, të bëhet shesh.

Në këtë strofë poeti thotë se ekziston mundësia e bashkimit të tyre, vetëm nëse planetët rrotullues shemben apo nëse ndodh ndonjë konvulsion i ri që ta ndajë tokën me dhunë. Pra, për t’i bashkuar të dashuruarit, bota duhet të ngjeshet apo të sheshohet si në planisferën e hartografit. Do të thotë që e gjithë bota duhet të rraset ose të rrafshohet për t’i sjellë të dy polet në të njëjtin vend.

Strofa e shtatë:

Në linja të kithta dashtnia çel
Dhe në çdo kënd veten puthit;
Por tonat janë në paralel,
S’takohen as në infinit.

Në këtë këtë strofë, poeti përdor një pohim tjetër metafizik në lidhje me gjeometrinë. Ai thotë se vetëm vijat e zhdrejta mund të takohen me njëra-tjetrën në të gjitha këndet gjeometrike. Në mënyrë të ngjashme, vetëm dy të dashuruar fajtorë mund të takohen me njëri-tjetrin. Por dashuria e poetit është e pastër. Poeti dhe e dashura i tij janë si vijat paralele. Linja të tilla nuk mund të takohen kurrë edhe nëse ato shtrihen në distancë të pafundme. Kështu, poeti nuk mund të bashkohet me të dashurën.

Strofa e tetë

Ndaj dashuria që na bashkon,
Por refuzon xhelòzi Fat
Është vetëm lidhj’e mendjes sonë,
Dhe kundërshtim i yjeve lart.

Strofa e fundit përfundon me notë trishtuese dhe me rreze shprese. Fati i ka mbajtur ata të ndarë fizikisht, por nuk mund t’i ndalojë të jenë bashkë shpirtërisht, megjithëse poeti ndihet paksa i trishtuar për ndarjen e tyre fizike. Diku në zemrën e tij ka shpresën për t’u afruar. Vetëm rruga shpirtërore mund të bashkojë poetin me të dashurën e tij.

 

Exit mobile version