Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që është edhe djali i veprimtarit Ukshin Hoti, Andin Hoti, në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka folur edhe për situatën politike në Kosovë.
Andini, thotë se kur është formuar koalicioni PAN është gëzuar shumë pasi gjithmonë ka shpresuar se një ditë drejtuesit e UÇK-së do të bashkohen edhe në politikë.
Ai qeverisjen e drejtuar nga Ramush Haradinaj e sheh si më ndryshme nga Qeverisjet tjera.
“Kjo Qeveri din të merr vendime të mëdha, dinë të ec para dhe të mos kthehet mbrapa. Veprimet e kryeministrit Haradinaj i kam përgëzuar edhe në Kuvend. Vendimi për taksën që ka gëzuar çdo shqiptar dhe vendime tjera mendoj se janë të mira”.
Megjithatë deputeti i PDK-së te kryeministri Haradinaj e sheh një “defekt”.
“Ajo që më pengon, dhe këtë mund të ja them edhe kryeministrit Haradinaj kurdo qoftë, në politikë ndonjëherë duhet edhe të tërhiqesh dhe të shkosh mbrapa. Këtë nuk po e shoh te kryeministri Haradinaj, sidomos pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Samitin Berlinit”, thotë deputeti i PDK-së i cili shpreson që në të ardhmen Haradinaj të reflektojë.
“Po shpresoj se edhe kryeministri Haradinaj në bashkëpunim me partnerët e koalicionit do të dijë të bëj politikë në të mirë të vendit dhe të tërhiqet atëherë kur duhet tërheqja”, shton Hoti, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se personalisht ndaj Haradinajt ka respekt të veçantë edhe si ish luftëtar i UÇK-së, por sidomos për ndërtimin e shtëpisë muze për babin e tij./Telegrafi/