Site icon Telegrafi

Anderlechti sqaron situatën e Hasit

Fundjavën e shkuar në Belgjikë u mbyll sezoni i rregullt dhe tashmë do të nisë faza play-off për titullin kampion.

Prej javësh trajneri i Anderlechtit, Besnik Hasi, ka qenë nën presion, për shkak se ka mbetur larg kreut në kampionatin belg, ndaj trajneri shqiptar u ankua hapur para pak ditësh.

Ankesa e tij i drejtohet klubit (“ka shumë presion, që është i panevojshëm, sepse çdo humbje trajtohet si tragjedi), pasi disa drejtues u shprehën të pakënaqur pas humbjes 3-1 në Ukrainë ndaj Shahtar Doneckut në Ligën e Evropës.

Megjithatë, tashmë menaxheri i klubit, Herman Van Holsbek, ka folur për mediat dhe është munduar të qetësojë situatën, duke i dhënë besim të plotë Hasit.

“Tek Anderlechti ekzagjerohet gjithçka, çdo deklaratë merret e fryhet jashtëzakonisht nga mediat. Ne kërkojmë ndjesë për deklaratat tona, pasi Hasi është ndjerë nën presion dhe nuk ishte ky qëllimi ynë.

“Mund të garantoj se Hasi do të jetë me ne deri në fund të sezonit dhe shpresojmë të na japë titullin. Presioni është i natyrshëm, sepse bëhet fjalë për Anderlechtin, ku askush nuk të fal dy kampionate rresht pa titull. Ky klub duhet të jetë gjithnjë në krye, edhe pse është e qartë që këtë sezon Club Brugge është favorit i madh”.

Exit mobile version