Real Madridi ka marrë fitore me rezultat të pastër 2-0 në Superkupën e Evropës duke e mposhtur Atalantën.
Los Blancos e nisën sezonin me trofe duke triumfuar në një ndeshje ku debutoi me gol Kylian Mbappe.
Ylli francez shënoi golin e dytë në këtë takim, derisa trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka treguar se sa gola pret që Mbappe t’i shënoj këtë sezon.
“A mund të shënojë Mbappe 50 gola? Ai ka cilësinë për të shënuar shumë gola”, deklaroi fillimisht Carlo Ancelotti .
“Duhet të kërkojmë ekuilibrin e ekipit dhe e patëm atë, edhe pse në pjesën e parë loja ishte spektakolare. Por skuadra ka luajtur një lojë të shkëlqyer në mbrojtje”, shton Ancelotti.
Mbappe ishte një kërcënim i vazhdueshëm gjatë gjithë lojës dhe përfundimisht u shpërblye me një gol më vonë.
Kur u pyet nëse ai mund të shënonte 50 gola këtë sezon, ja çfarë tha Mbappe: “Nuk dua të vendos kufij, ne jemi Real Madridi. Nëse mund të shënoj 50, do ta bëj, por ajo që është e rëndësishme është që skuadra të fitojë”, tha Mbappe. /Telegrafi/