Tekniku italian Carlo Ancelotti, ka thyer protokollin e UEFA-s pasi Real Madridi eliminoi Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve të mërkurën.
Real Madridi tani do të përballet me Bayern Munichun në gjysmëfinale të këtij kompeticione, pasi mposhtën ‘Qytetarët’ në penallti në një mbrëmje dramatike në ‘Etihad Stadium’.
Sidoqoftë, ajo që ka rënë në sy është se 64-vjeçari nuk u paraqit në konferencën për shtyp pas përfundimit të ndeshjes duke ngjallur polemika.
Rregullat e UEFA-s citojnë se të dy trajnerët duhet të jenë në dispozicion të mediave dhe këtë janë të detyruar ta bëjnë jo më larg se 20 minutave pas përfundimit të sfidës.
Megjithatë, sipas asaj që u raportua nga gazetari Richard Martin, Ancelotti nuk ishte aty për të kryer detyrën e tij.
“Një natë e rrallë në Ligën e Kampionëve: Carlo Ancelotti ‘injoroi’ konferencën e tij për shtyp. Kjo nuk më ka ndodhur që 11 vite që mbulojë këtë kompeticion”, ka shkruar Martin në platformën X.
Italiani nuk ishte aty për të bërë intervistë me disa media që mbajnë të drejtat si TNT Sports si dhe me platformën e rezultateve dhe vlerësimeve LiveScore.
‘Los Blancos’ do të rikthehen në aksion përsëri të dielën, ku do të përballen me Barcelonën me ndeshjen që do të luhet në ‘Santiago Bernabeu’./Telegrafi/