Site icon Telegrafi

Ancelotti shpërthen ndaj gjyqtarëve, thotë se penalltia e Gironas është sajuar

Real Madridi nuk ka mundur të marrë më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Gironas.

Kampioni në fuqi i Spanjës kaloi në epërsi në minutën e 70-të, por mysafirët barazuan në minutat e fundit me anë të një penalltie.

Në fakt penalltia e mysafirëve është bërë temë në Spanjë me njerëzit që janë ndarë në dysh sa i përket mendimeve ku disa gjysma thonë se ishte penallti dhe gjysma tjetër që nuk ishte.

Gjithsesi ky barazim bën që diferenca e Realit të ngushtohet me Barcelonën në vetëm një pikë, ku Los Blancos janë në krye me 32 pikë, një më shumë se katalunasit.

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka shpërthyer në drejtim të gjyqtarëve, duke thënë se nuk kishte të bënte fare me penallti pasi topi e kishte prekur në gjoks Asension.

 

“Nuk më pëlqen të flas për gjykimin, por pas kësaj ndeshje do ta bëj. Situata e parë është mjaft e qartë, nuk është penallti, sepse Asensio nuk e prek topin me dorë”.

“Kam folur me Asension dhe ai më thotë që e ka goditur në gjoks. Është e vërtetë që dora e majtë është në pozicion të çuditshëm, nëse e prek topin me dorë mund të ketë dyshim, por thjesht nuk shtyn topin më dorën e tij. E kanë sajuar”.

“Situata e dytë është pak më e diskutueshme. Rregulli është i qartë, nuk ka pasur kontroll të qartë, por aty mund të jepni mendimin tuaj. Nuk do ta diskutoj këtë”.

“Ajo që më befason është penalltia, e cila erdhi në një moment të rëndësishëm të lojës, na kushtoi shumë, pas kësaj situate kemi dy pikë më pak në tabelë”, deklaroi Ancelotti i nervozuar me vendimin e gjyqtarit.

Reagime të shumta kishte në Spanjë për penalltinë e fituar nga Girona, por vendimi ishte marrë dhe ndeshja tanimë ka përfunduar me Realin që humbi dy pikë të rëndësishme në luftën për titull të kampionit. /Telegrafi/

 

https://twitter.com/marcoasensio10/status/1586788144149561346?s=20&t=lPOlupZbUoPwYamB-QNUVA

Exit mobile version