Site icon Telegrafi

Ancelotti i preferuari i të gjithëve për të marrë detyrën te Brazili

Sipas presidentit të Selecao, Ednaldo Rodrigues, Carlo Ancelotti është konsideruar si ‘zgjedhja e dukshme’ për të marrë postin vakant si trajneri i ekipit kombëtar të Brazilit nëse ai vihet në dispozicion në fund të sezonit.

Posti i Brazilit ka mbetur i paplotësuar që kur ish-trajneri Tite u largua nga posti i tij pas eliminimit të Brazilit në çerekfinale në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Ancelotti, i cili ka në dispozicion një bërthamë talentesh braziliane si Eder Militao, Vinicius Jr. dhe Rodrygo në punën e tij aktuale me Real Madridin, është emëruar si zgjedhja e parë për të marrë detyrën në Brazil.

Sipas Rodrigues, ish-trajneri i Juventusit, Milanit dhe Napolit nuk është vetëm i preferuari i lojtarëve për të marrë postin, por edhe zgjedhja e tifozëve.

Lexo po ashtu Ancelotti do të qëndrojë te Real Madridi me një kusht, mes thashethemeve për Brazilin

“Unë me të vërtetë e admiroj për ndershmërinë e tij në mënyrën se si punon dhe sa konstante është puna e tij. Ai nuk ka nevojë për prezantime. Ai është me të vërtetë një top trajner që ka disa arritje dhe shpresojmë të ketë edhe më shumë”, ka thënë fillimisht Rodrigues në një intervistë të fundit.

“Ancelotti nuk është vetëm i preferuari i lojtarëve, por duket edhe i tifozëve. Kudo që shkoj në Brazil, në çdo stadium, ai është emri i parë për të cilin më pyesin tifozët”.

“Ata flasin për të në një mënyrë shumë të dashur, në njohje të punës shembullore që ka bërë në karrierën e tij. Le të kemi besim te Zoti, të presim kohën e duhur dhe do të shohim nëse mund ta realizojmë, ndërsa kërkojmë trajnerin e ri të kombëtares braziliane”, përfundoi presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit.

 

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë qasje zyrtare nga Brazili për shërbimet e Ancelottit, pavarësisht vlerësimeve të larta të Rodrigues për italianin.

Kontrata aktuale e Ancelottit me Real Madridin zgjat deri në verën e vitit 2024, që do të thotë se federata braziliane do të duhet të negociojë me Real Madridin nëse duan të marrin zgjedhjen e tyre të parë për të plotësuar pozicionin e trajnerit.

Në rast se dështon pista Ancleotti, Brazili mund t’i drejtohet trajnerëve të njohur si Jose Mourinho, Jorge Jesus apo Fernando Diniz. /Telegrafi/

Exit mobile version