Real Madridi është kampion i botës për klube dhe këtë sukses e kanë arritur për herë të tetë në histori të klubit.
Los Blancos në finale kanë mposhtur Al-Hilal me rezultat 5-3 në një ndeshje që ishte spektakolare.
Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti ka folur pas finales duke mos e fshehur lumturinë për këtë titull të fituar, pasi ka thënë se ishte objektiv i klubit.
Ndër të tjera trajneri italian ka thënë se ishte ndeshje e bukur, duke lavdëruar edhe skuadrën arabe.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë sukses. Objektivi ynë ishte t’i sillnim Realit të Madridit titullin e tetë të botës, dhe ia dolëm”.
“Ishte një ndeshje e bukur kundër një kundërshtari teknikisht të shkëlqyer. Ndeshja shkoi ashtu siç e kishim menduar”, tha Ancelotti.
Tutje trajneri italian lavdëroi edhe dyshen Karim Benzema dhe Fede Valverde që zhvilluan një ndeshje të madhe.
“Treguam lëvizshmëri të madhe në sulm, sidomos falë kontributit të Benzema dhe Valverdes, të dy autorë të një paraqitjeje të jashtëzakonshme”, tha Ancelotti.
Për Ancelottin kjo është hera e tretë që fiton Kupën e Botës për klube, pasi dy herë e ka fituar me Realin dhe një herë tjetër me Milanin. /Telegrafi/