Milani dështoi të fitojë edhe nën drejtimin Gennaro Gattusos, por është pikërisht Carlo Ancelotti ai që merr në mbrojtje ish-mesfushorin e kuqezinjve.
Tekniku italian kërkoi që t’i jepet më shumë kohë trajnerit të ri të kuqezinjve, ndërsa nuk kritikoi Vincenzo Montella për punën e mëhershme.
“Gattuso e stërviti këtë ekip vetëm dy ditë dhe nuk mund të prisnim ndonjë ndryshim të madh. Mendoj se atij i duhet dhënë kohë për të rikthyer Milanin në rrugën e duhur , atë të rezultateve pozitive”.
“Pastaj, kundër Beneventos pashë një skuadër të vendosur mirë , që për pak ia doli të sillte tre pikët në shtëpi”, u shpreh Ancelotti.
Ish-trajneri i Bayernit vlerësoi edhe punën e bërë nga Vincenzo Montella, veçanërisht vitin e kaluar, ndërsa pranoi se afrimet e shumta sollën vështirësi këtë sezon.
“Edhe Montella punoi shumë mirë vitin e kaluar dhe arriti të çojë skuadrën në Evropë. Këtë vit u investua shumë dhe u shtuan disa lojtarë, por kjo situatë të krijon vështirësi, pasi afrimet e reja duan kohën e tyre për t’u përshtatur”, deklaroi Ancelotti. /SS/