Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, është në një presion të madh në ‘Santiago Bernabeu’ pas dy humbjeve të njëpasnjëshme ndaj Barcelonës dhe Milanit, aty ku pësuan shtatë gola.
‘Los Blancos’ tashmë po konsiderojnë mundësinë e transferimit të një mbrojtësi të djathtë në janar sipas raportimeve nga Spanja, një bisedë të cilën Ancelotti e la anash gjatë konferencës së tij për shtyp para ndeshjes me Osasunën.
Një prej pikave që po e shqetëson më së shumti presidentin Florentino Perez është mungesa e minutave për të rinjtë e talentuar si Arda Guler dhe Endrick.
Për këtë çështje është pyetur direkt trajneri italian i cili pati një përgjigje interesante.
“Ai (Endrick) është i gatshëm të luajë, po bën shumë mirë dhe po shfaq shumë kualitet në stërvitje. Mund të them të njëjtën për Guler, ata janë lojtarë të rinj të cilët po shtyjnë”.
“Por ideja e përbashkët është që të rikthejmë situatën e krijuar sa më parë që është e mundur. A mund ta bëjë këtë me ata?”.
“Po, por objektivi është që ta përmirësojmë situatën, ky është prioriteti dhe jo t’i jap minuta ndonjë lojtari ose tjetrit”, ka thënë Ancelotti fillimisht.
Problemi kryesor për Ancelottin në rast se vendos t’i jap minuta ndonjërit prej Guler ose Endrick është se ai me gjasë do të duhet ta lë në bankë njërin prej Mbappe, Vinicius, Bellingham ose Rodrygo./Telegrafi/