Arsenali është duke u përgatitur për largimin e Arsene Wengerit në fund të sezonit, ndërsa Carlo Ancelotti është favorit për ta zënë vendin e tij.
Strategu francez është vënë sërish nën presion pas eliminimit nga Kupa FA nga Nottingham Foresti dhe zyrtarët e klubit janë duke menduar për një trajner të ri.
Këtë edicion Topçinjtë nuk marrin pjesë as në Ligën e Kampionëve, ndërsa Liga Premier në këto vitet e fundit është dukur si objektiv i paarritshëm.
Tifozët e Arsenalit ka kohë që po kërkojnë një trajner tjetër, ndërsa klubi në edicionin e kaluar ia vazhdoi kontratën 68-vjeçarit edhe për dy sezone.
Sidoqoftë, gjasat janë që ai mos ta përfundojë kontratën dhe në verë mund t’i tregohet dera.
Sipas Evening Standard, Ancelotti është një kandidat serioz për ta marrë drejtimin e Arsenalit.
Strategu italian është duke pushuar që prej largimit nga Bayern Munichu, ndërsa në Angli e ka drejtuar skuadrën e Chelseat.
Ai ka përvojë të madhe në fitimin e titujve, në mes tyre edhe Ligën e Kampionëve (dy herë me Milanin dhe një herë me Real Madridin.
Krahas trofeve të fituara në të gjitha vendet ku i ka drejtuar skuadrat, Ancelotti e ka fituar edhe Ligën Premier me Chelsean. /Telegrafi/