Carlo Ancelotti e ka treguar arsyen pse Bayern Munichu e shkarkoi nga posti i trajnerit, ndërkohë që i ka dhënë disa këshilla trajnerit të ri të Milanit, Gennaro Gattuso.
Strategu italian ishte shkarkuar përkundër se e fitoi titullin e Bundesligas në sezonin e kaluar, ndërsa ka pasur thashetheme të ndryshme rreth arsyes së largimit të tij.
“Shumëçka është thënë nga lojtarët, presidenti i Bayernit, media. Nuk dua ta rikujtoj atë që ka ndodhur”.
“Ishte një mosmarrëveshje rreth metodologjisë së punës. E kam ndërtuar metodën time të punës për shumë vite dhe nuk do ta ndërroj”.
“Lojtarët zhvillojnë 60 ndeshje në vit dhe metoda ime është e bazuar në cilësi dhe jo në sasi.
“Në vend se të qëndroj në fushë për një orë e gjysmë duke bërë vrapime të ngadalshme, preferoj të qëndroj aty për një orë dhe të përqendrohem në vrapime të shpejta, duke punuar me top dhe duke i përsëritur situatat e ndeshjes”, ka deklaruar Ancelotti për La Domenica Sportiva.
Ish-trajneri i Milanit është pyetur nëse ka ndonjë këshillë për trajnerin aktual të Rossonerëve, ish-lojtarin e tij, Gennaro Gattuso.
“Do t’i them Gattusos se është më mirë të dështosh duke i shfrytëzuar idetë tua, sesa të mbytesh me idetë e të tjerëve”, ka thënë Ancelotti. /Telegrafi/