Telegrafi

Ancelotti: Barazimi na trishtoi, por do të rikthehemi shpejt

Real Madridi ka bërë gabimin e parë këtë sezon në La Liga, pasi është ndalur nga Osasuna në barazim 1-1.

Ishte ky barazimi i parë i madrilenëve pas gjashtë fitoreve radhazi në kampionat dhe tani ndajnë pozitën e parë me Barcelonën.

Carlo Ancelotti ka folur pas këtij barazimi duke thënë se nuk bën një lojë me ritëm të lartë, por e meritonin të fitonin ndeshjen.

“Loja në përgjithësi nuk kishte një ritëm shumë të lartë. Nuk ishte një ditë e mirë për ne, por meritonim të fitonim”.

“Ndeshja nuk shkoi ashtu siç do donim, por nuk duhet të justifikohemi. Skuadra kishte bërë shumë mirë deri tani dhe një barazim si ky ndaj Osasunës futet te gjërat që ndodhin gjatë një kampionati. Sigurisht që duhet të përmirësohemi”.

“Askush nuk është i gëzuar kur Reali nuk fiton, barazimi na trishton, por do të reagojmë shpejt”, deklaroi Ancelotti.

Tutje trajneri italian foli edhe për lëndimin e Thibaut Courtois duke thënë se nuk është serioz, derisa për ekzekutuesin e penalltive tha se kanë Benzeman që është më i miri në skuadër.

“Lëndimi i Courtois nuk është i rëndë, por të shohim rezultatin e analizave. Penalltia? Mendova të ndërroj goditësin, por Karim ekzekutoi dy penalltitë më të mëdha sezonin e kaluar. Ai është goditësi më i mirë që kemi”, përfundoi Ancelotti. /Telegrafi/