Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, Ednaldo Rodrigues, ka konfirmuar se kanë arritur marrëveshje me Carlo Ancelottin që të marrë drejtimin e përfaqësueses në vitin 2024.
Rede Globo transmeton se CBF ka bërë të ditur se pasi t’i skadojë kontratë me Real Madridin (30 qershor 2024), strategu italian do të marrë drejtimin e Selecaos.
Madje, thuhet se Rodrigues dëshiron ta zyrtarizojë kontratën shumë para se t’i skadojë kontrata trajnerit me Los Blancos.
Ancelotti ka të drejtë të japë vetëm fjalën e tij (konfirmimin verbal), duke qenë se në bazë të rregullave të FIFA-s, mund t’i përkushtohet një skuadre tjetër vetëm në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij.
Kjo do të thotë se 64-vjeçari mund ta nënshkruajë kontratën vetëm pas 1 janarit dhe pastaj nga 1 korriku 2024 të marrë zyrtarisht drejtimin e Brazilit. /Telegrafi/