Edhe këtë vit vazhdoi anashkalimi i gjuhës shqipe nga organizatorët e “Mbrëmjeve strugane të poezisë”, që mbahet tradicionalisht ne Strugë, në qytetin me shumicë shqiptare, thuhet në reagimin Lëvizjes Besa në Maqedoni.
“Duke dëgjuar arsyetimin e ministrit të Kulturës nga radhët e LSDM-së, Asaf Ademi, i cili tha se ka qenë vonë për të ndërhyrë në agjendën e organizimit, mund të konstatojmë se drejtori i “Mbrëmjeve strugane të poezisë” është më i fuqishëm se ministri i Kulturës. Të lejosh anashkalimin e gjuhës shqipe që nga hapja e programit deri te përkthimi i broshurave dhe materialeve të tjera, dëshmon në paaftësinë e ministrit të kulturës, gjegjësisht dëshmon se roli i tij në Qeveri është vetëm sa për të mbushur numrin dhe asgjë më tepër”, thuhet në reagim ku kërkohet mbrojtja dhe afirmimi i vlerave kombëtare shqiptare dhe jo nënshtrimi “në dëm të identitetit, traditës, vlerave kombëtarë dhe gjuhës shqipe”.