Stadium i stërmbushur, portë e pastër pa pranuar gol dhe një fitore 3-0 ndaj kampionit të Anglisë. Kjo ishte mbrëmja perfekte e Romës. Dominim i plotë me premisa për poshtërim të Chelseat të Antonio Contes.
Gjithçka funksionoi në mënyrë perfekte për italianët, teksa Alisson menaxhoi me besim ato pak rreziqe që i vinin në drejtim të tij, e që rrallë herë tejkalonin mbrojtjen solide si guri. Në mesfushë, Radja Nainggolan, Kevin Strootman dhe Daniele De Rossi bënë punën e tyre për mrekulli, teksa treshja e Romës kontrolloi lojën, distribuoi topa në mënyrë efektive duke dominuar mesfushën e Chelseat, e cila u duk e humbur pa N’Golo Kanten.
Sidoqoftë, edhe pse lojtarët e Romës performuan në mënyrë perfekte dhe meritojnë komplimente, është sulmi i ekipit që rrëmbeu vëmendjen, me Stephan El Shaaraëyn, Edin Dzekon e Diego Perottin që shfaqën një performancë klasike sulmuese, e cila siguroi fitoren më prestigjioze për Romën në vitet e fundit në skenën e futbollit evropian.
Disa mund të mendojnë se një konstatim i tillë mund të jetë i ekzagjeruar nëse marrim në konsideratë vuajtjet e Chelseat në fund të sezonit, por kjo nuk duhet të jetë relevante në këtë rast, pasi Roma ka ditur të jetë qesharake ndaj ekipeve edhe më të dobëta. Përkundër lëndimeve dhe paraqitjeve jo bindëse në javët e fundit, ekipi Contes është në vendin e katërt në Ligën Premier.
Duhet të mos harroni dhe të kujtoni se jo më larg se një vit më parë Roma u shkatërrua nga Porto në Ligën e Kampionëve në fazën eliminuese me rezultat 3-0 në Olimpico me dy kartonë të kuq.
Kthehuni prapa edhe një vit tjetër dhe kujtoni humbjen 3-2 nga BATE Borisov, vuajtjen ndaj Bayer Leverkusenit dhe poshtërimin prej 6-1 nga Barcelona.
Sidoqoftë, krejt kjo duket të jetë jo relevante për Romën e re evropiane, të lindur nën drejtimin e Eusebio Di Francescos. Ish-strategu i Sassuolos ka transmetuar pasionin e tij, vetëbesimin dhe përkushtimin te lojtarët, e që e bën skuadrën e tij një ekip të respektuar. Për vetëm pak muaj në krye të klubit, ai ka arritur gjëra që paraardhësit e tij kanë dështuar ta bëjnë në vite të tëra.
Duke qenë solidë në mbrojtje dhe duke mbajtur maksimumin e përqëndrimit gjatë një ndeshje të tërë e duke qenë po ashtu efektivë në sulm – ky ekip është aq “jashtëtokësor” për ekipet të kaluarës së Romës sa që Giallorosoët tash duken të pabesueshëm kur paraqesin këto cilësi në mënyrë të vazhdueshme e me një konsistencë të frikshme.
Natyrisht, Roma nuk është ende proces i kryer, e kjo gjë e bën këtë ekip edhe më interesant për t’u shikuar. Nëse marrim parasysh punën që Di Francesco ka bërë për një periudhë kaq të shkurtër në krye të klubit, perspektiva për atë që mund të bëjë ish-mesfushori në suaza afatgjate është thjeshtë fascinuese. Aq shumë është folur për aventurën e tij të parë në Ligën e Kampionëve në frikë të një dështimi, por krejt kjo i ndihmoi atij që të mos tregojë frikë dhe të kyçet direkt në eksperiencën e re, duke i marrë me vete edhe lojtarët e Romës në këtë rrugëtim.
Kush do të kishte menduar se dështakët e famshëm në garat evropiane dhe pa pedigre do të jenë në krye të Grupit C duke tejkaluar Chelsean dhe gjysmëfinalistin tradicional, Atletico Madridin?
Gjetja e konsistencës do të jetë sfida e radhës e madhe për Di Francescon, pasi që humbja nga Interi tregoi se Roma e ka aktualisht vështirë që të majë këtë nivel javë pas jave. Barazimi 3-3 ndaj Chelseat në Londër dëshmoi këtë, pasi që përkundër rezultatit që pa dyshim se ishte i mirë – Giallorosët dështuan ta fitojnë ndeshjen që ata qartë e dominuan.
Skuadra duket ende në “vijë të hollë”, më shumë se sa që do të dëshironte Di Francesco, pasi që lëndimet dhe largimet kyçe gjatë verës kufizuan opsionet e strategut 48 vjeçar.
Sidoqoftë, me një kualifikim në fazën e eliminimit direkt në ligën e Kampionve që duket pothuajse i sigurtë, menaxhmenti i Romës duhet të tregojë mençuri duke adresuar këtë problem qysh në janar në afatin kalimtar dimëror.
Deri atëherë, një portier fantastik si Alisson dhe mbrojtja e çeliktë me Kolarovin e treshen e punëtore të mesfushës, ashtu sikurse me Dzekon fenomenal – do të reprezentojnë fytyrën e Romës së re evropiane, e cila lindi të martën mbrëma.
Diskutimet për të fituar Scudetton ose Ligën e Kampionëve ndoshta janë të pamatura, por Giallorosët duhet të shijojnë momentin aktual dhe të mos vënë kufi në ëndrrat e tyre, sepse kufiri është vetëm qielli.
/Telegrafi/