Wenger out – ishte pankarta më e shpeshtë që kemi mundur të shohim në stadiume nga tifozët e Arsenalit, të cilët të pakënaqur me rezultatet, shprehnin revoltën e tyre, duke drejtuar gishtin kah Arsene Wenger. Nga sot, nuk do të drejtohet më gishti kah Wengeri, e as nuk do të shohim më pankarta Wenger out – gjithë ajo që do shohim është një periudhë e ndritur e paprecedentë për tifozët e Arsenalit, meritë e të cilës do të jetë pikërisht Wenger.
Për të mund të ketë qenë një ditë emocionale, pasi po lë shtëpinë e tij prej 22 viteve. Wenger nuk e përjetoi lehtë largimin nga Arsenali.
Por, aspak emocionale nuk ishte për tifozët e Arsenalit, të cilët sikurse një trofe që po e kërkojnë kaq gjatë, e kanë festuar largimin e Wengerit.
Arsene Wenger është vet historia e Arsenalit. Trofet më të mëdha klubi i fitoi në periudhën e tij 22 vjeçare, po flas për 3 titujt e Ligës Premier që ai i fitoi në periudhën e tij dy dekadëshe të Arsenalit. Krijoi The Incredibles, ekipin që kaloi gjithë sezonin pa humbje.
Historia të cilën tifozët e Arsenalit e kanë si arsye pse janë bërë tifozë të këtij klubi, është Wengeri. Wengeri është vet historia. Wengeri është Arsenali. Arsenali është Wenger.
Si profesor i ekonomisë, Wenger ishte gjithmonë pragmatik kur bëhej fjala për menaxhimin e situatës së klubit.
Në vitin 2002 filloi zhvendosja e Arsenalit duke realizuar ri alokimin në Ashburton Grove, aty ku ishte paraparë ndërtimi i stadiumit Emirates, bukurisë së futbollit anglez. Punimet u shtynë deri në vitin 2004 për shkak të problemeve financiare.
“Ky është vendimi më i madh në historinë e Arenalit”, tha Wenger atë kohë dhe ai kishte të drejtë.
Projekti 390 milionësh për stadiumin e ri të Arsenalit u realizua në mesin e shumë vështirësive me një kredi dhe sponsorizim që e tërhoqi Wenger, atë të arabëve të Emirates të cilët e morën emrin e stadiumit, por jo pronësinë e klubit.
Stadiumi është dëshmia për vizionin dhe largpamësinë e Wengerit. Ai përkundër situatës së vështirë të Arsenalit në aspektin financiar nga viti 2004 e tutje, me strategjinë e tij konkrete, arriti të krijojë skuadër konkurruese, duke marrë pjesë në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2006 dhe duke qëndruar në top katërshe me pjesëmarrje të rregullt në Ligën e Kampionëve (më gjatë se çdo klub tjetër).
Identifikonte talentët, i blente lirë dhe i shiste shtrejtë. Disa herë u tregua mjeshtër në raport me disa klube, përfshirë Barcelonën dhe Manchester United. Me këto para ai paguante kredinë e stadiumit dhe balanconte situatën financiare të klubit, derisa kjo kredi u pagua plotësisht.
Arsenali sot është një prej 5 klubeve më të shëndosha financiarisht, duke mos pasur borxhe dhe duke u lëvduar shpesh për kujdes në shpenzime, sidomos në afatin kalimtar.
Në ndërkohë, nuk mungonin banerët “Wenger Out”.
Arsenali mund të mos ketë pasur rezultate të mëdha në vitet e fundit dhe trofe prestigjioze, por shumë shpejt do t’i ketë ato. Për klubin londinez do të vijë një periudhë e ndritur falë punës 22 vjeçare të francezit të shumë kritikuar.
Arsene Wenger është i emocionuar që po lë shtëpinë, por nuk është i prekur nga ofendimet e tifozëve të Arsenalit, sepse ai e di që pas 10 vitesh do të shihen rezultatet e punës së tij dhe sakrificave që ka pasur. Ai gjithmonë heshti, sepse ashtu i bënte mirë Arsenalit. Ai nuk u tërhoq, jo pse ishte i obsesionuar pas postit të menaxherit, por sepse nuk mundi ta linte Arsenalin pa u siguruar që gjithçka ka shkuar sipas planit të tij afatgjatë.
Ai nuk ka nevojë për (mos)mirënjohje. Wengeri e ka lënë Arsenalin në kohën më të mirë. Cili do menaxher që do të vijë do të marrë në dorë një klub të shëndoshë financiarisht me potencial investues dhe stadium e brend fantastik të futbollit.
Sepse Wengeri është mirë, kur Arsenali është mirë.
/Telegrafi/