Gjashtë humbje në tetë ndeshjet e fundit – vërtet është vështirë të thuhet një rekord kaq i errët për një skuadër që është kampion i ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA.
Rekordi më i errët që prej rikthimit të LeBron James në klubin e vendlindjes së tij është regjistruar pikërisht në vitin 2017.
“2017 është m*t”, kishte thënë LeBron James pas disfatës shokuese ndaj New Orleans Pelicans, në përshkrim të fillimit të vitit për të dhe ekipin e tij.
Dhe për këtë, “Kingu” ka të drejtë. Humbja ndaj New Orleans Pelicans ishte shokuese kur merret parasysh se Anthony Davis nuk luajti dhe në këtë takim Love regjistroi 22 pikë, Kyrie Irving regjistroi 49 pikë dhe LeBron kishte triple double fantastik.
Situatë pothuajse e ngjashme ndodhi të mërkurën, kur Cavaliers u mposhtën pas vazhdimeve nga Sacramento Kings, një skuadër shumë më e dobët në kualitet se sa Cavs dhe që ka vite që nuk po kualifikohet në playoff. Dhe, megjithatë, edhe ata i mposhtën kampionët dhe Kingun që sërish realizoi triple double.
LeBron James ka të drejt kur shpërtheu pas ndeshjes duke kritikuar kryesinë e klubit për mungesën e investimeve në përmirësimin e ekipit, në përmirësimin e stolit.
Stoli problemi kryesor i Cavaliers
Problemi te Cavaliers është pikërisht stoli, pasi rendimenti nga lojtarët startues, apo superyjet vazhdon të jetë i mirë, mos të themi mbi normalen.
LeBron është duke pasur një nga vitet më të mira, teksa Kyrie Irving dhe Kevin Love janë konstant në shënimin e pikëve dhe realizimin e kërcimeve dhe asistimeve.
As transferimi i Kyle Korver nuk i ka ndihmuar Clevelandit që të bëjë atë hapin e madh para në kualitet – ashtu siç u mendua nga mediat dhe kritikët në NBA.
Në ndeshjen ndaj Sacramentos stoli i Cavaliers realizoi vetëm 25 pikë.
A e dini sa i realizoi stoli i Sacramentos? 35. Saktësisht 10 pikë më shumë se sa stoli i Cavaliers dhe kjo e ka bërë diferencën në këtë takim, që mysafirët të kthehen në lojë në periudha kur startuesit e Clevelandit po dominonin fortë ndeshjen.
Kay Felder realizoi vetëm 3 pikë në 10 minuta, kurse James Jones për 14 minuta realizoi 2 pikë. Frye shtoi vetëm 8 pikë për 18 minuta lojë. Dhe këto statistika janë brengosëse për Cavs.
Të ndalemi te ndeshja që e bëri LeBron Jamesin të shpërthejë, humbja ndaj Pelicans që ishin në parket pa superyllin Anthony Davis.
Stoli i New Orleans Pelicans ishte i pandalshëm në takimin ndaj Cavaliers, me Montiejunas dhe Langston Galloway që shënuan nga 14 pikë respektivisht 12 pikë, me Tyreke Evans që shtoi 9 pikë të tjera bashkë me Moore që realizoi 5 të tjera. Në total 40 pikë.
A e dini sa i shëoni stoli i Cavaliers? Vetëm 13 pikë. Dizavantash prej 27 pikësh mes stolit të Cavs dhe New Orleans.
Duke parë që ndeshja përfundoi me vetëm dy pikë epërsi për New Orleans, në këtë situatë, paramendoni se çfarë impenjimi dhanë startuesit si Kyrie Irving (49 pikë), apo LeBron James (triple double) – dhe sërish në fund ata nuk fituan.
Dhe ata nuk po fitojnë për shkak të stolit, për shkak të mungesës së kualitetit të skuadrës në stol dhe për shkak të thellësisë në miksimin e cilësive adekuate që vijnë në ato minuta që i takojnë rezervistëve – por që po dalin të jenë vdekjeprurëse për Cavs në këtë fillim të vitit.
Çka tash?
LeBron ka të drejtë. LeBron ka shumë të drejtë kur del dhe kërkon përforcim të skuadrës.
Cavs kanë vend të lirë pas largimit të veteranit Mo Williams dhe dy lojtarë u lejohet të shkëmbejnë deri më 23 shkurt. Dhe këtë, kampioni i NBA duhet ta bëjë sa më shpejt sepse situata është alarmante. Startuesit mund të lodhen për playoff dhe titulli do të humbet sigurt nëse vazhdojnë të kenë LeBron, Love dhe Irving kaq shumë minuta deri në fund të sezonit.
Dhe për këtë arsye, LeBron bëri mirë që shpërtheu, në kohën e duhur, sa nuk është bërë vonë, në mënyrë që të shpëtohet sezoni dhe në playoff të komponohet skuadra.
Një organizator është i nevojës imanente. Rajon Rondo do të ishte perfekt, por po flitet edhe për Dwyane Wade – cili do prej tyre që nuk po shijojnë kohën te Chicago do t’i kryenin punë LeBronit. Edhe miku i vjetër Chalmers do të ishte i mirë se ardhur.
Këtu shtoj rikthimin e JR Smith, një element tejet i rëndësishëm i pesëshes së parë, që ndikon direkt në përforcimin e stolit, pasi Iman Shumpert do kalonte më shumë kohë me lojtarët e stolit dhe do të mbronte lojtarët kualitativ të skuadrave tjera, kur dihen kualitetet e tij defensive.
Shuplaka më e mirë, alarmi më i mirë që ka mundur të marrë Clevelandi është pikërisht shpërthimi i LeBronit në kritika dhe kjo pritet edhe ta shpëtojë sezonin.
LeBron mund të vazhdohet të kritikohet nga ata që e urrejnë dhe kanë averzion ndaj tij, por madhështia e një lojtari si ai vërehet edhe jashtë parketit.
I akuzuar se nga do që shkon kërkon lojtarë kualitativ përreth vetes, te Cavs thirrja për përforcime është plotësisht e drejt dhe nuk qëndron me konstatimet e disa kritikëve se ai po e tepron me kërkesa. Kritika këto që vijnë nga perëndimi, ata të cilët u gjunjëzuan në qershor.
Kingu bëri atë që është dashur ta bëjë. Ai me gjasë ka shpëtuar një sezon të tërë, në një reagim që pritet të vijë shpejt nga klubi për të përforcuar skuadrën dhe për të shpëtuar sezonin nga një rënie prej majes së malit, që nëse nuk do të reagonte LeBron, do të mund të ishte fatale me një përfundim të kampionit në humnerë. Një apokalips që Kingu s’e lejon dot.
/Telegrafi/