Mr.Ph. Krenar Dobroshi
Farmacist & Magjistër për kozmetikë
Qendra estetike-kozmetike “Estethica”
044/049 344-284, 038/733-407
Profesionistët në këtë drejtim bëjnë analizën e fytyrës në mënyra të ndryshme. Disa thjesht me atë të syrit, disa me ndihmën e zmadhuesve, të tjerë përmes aparateve profesionale të dedikuara për fytyrë.
Përparësitë e analizës së fytyrës përmes aparateve profesionale janë të shumta: bëhet analiza e shtresave të thella të lëkurës (epidermisi dhe dermisi), analizohen të gjitha parametrat e lëkurës duke u krahasuar me standarde të moshës, përcaktohen kremrat e adekuat për atë lëkurë, përcaktohen tretmanet e sakta sipas nevojës, dhe përcaktohet tipi specifik i lëkurës.
Karakteristikat e lëkurës janë ato parametra të cilat e përcaktojnë moshën dhe gjendjen e lëkurës. Ndër kryesoret që analizohen janë: hidrimi (lagështia), elasticiteti, temperatura, yndyra (sebumi), poret, rrudhat dhe pigmentimi. Të lartpërmendurat krahasohen me moshën reale të personit dhe maksimumin e lejuar për atë parametër. Shembull: personi mund t’i ketë 35 vjet mirëpo sipas analizës rezulton që ka rrudha shumë më shumë, sikurse një 50 vjeçar.
Tipat e lëkurës
Në përgjithësi pranohen 4 tipa kryesorë të lëkurës – e thatë, e yndyrshme, e ndjeshme, dhe e kombinuar.
Lëkura e thatë – nuk ka yndyrë dhe zakonisht është pa probleme me akne. Një lëkurë e thatë ka nevojë për hidrim. Zgjidhni pastrues në bazë të gelit dhe jo të sapunit ngase mund të dehidrohet edhe më tepër. Poashtu toniku duhet të zgjidhet në mënyrë adekuate që të përshtatet me pH-në e lëkurës.
Lëkura e yndyrshme – karakterizohet me shkëlqim, pore të zgjeruara dhe shpesh probleme me akne. Ndonjëherë lëkura e yndyrshme hasë probleme me dehidrim. Është shumë e rëndësishme mbajtja e një balance në mes të yndyrës dhe hidrimit të lëkurës. Përzgjedhja e kremrave duhet të bëhet me kujdes ngase një krem i dedikuar për lëkurë të thatë mund të shkaktojë akne. Një pastrues për fytyrë dhe një tonik i cili i lufton poret dhe pikat e zeza (‘blackheads’) është i domosdoshëm.
Lëkura e kombinuar – është karakteristikë e mbi 70% të njerëzve. Nga 70%, zonën T e kanë 95% e tyre. Ngjashëm me lëkurën e yndyrshme bëhet përzgjedhja e produkteve; vetëm duhet të ketë kujdes që të jenë më pak agresive.
Lëkura e ndjeshme – karakterizohet me skuqje dhe irritim ndaj agresorëve të jashtëm si, dielli, tymi dhe ajri i ndotur. Një pastrues dhe tonik i butë, janë të preferuara.
Duhet mbajtur në mend se të gjithë tipat e lëkurës kanë nevojë për fërkim (eksfoliant) njëherë në javë të paktën.