Telegrafi

Analisti shikon rivalitet midis Shqipërisë dhe Kosovës: I nevojshëm një projeksion ideologjik kombëtar për shqiptarizmin

Analisti Ben Andoni është shprehur se Kosova e Shqipëria kanë një dualizëm të frikshëm teksa e ka krahasuar me Serbinë ku të gjithë projeksionet e botës serbe në rajon drejtohen nga Beogradi.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se Tirana e Prishtina po rivalizojnë njëra-tjetrën, dhe për këtë fajësoi kryeministrin Edi Rama.

Më tej ai nënvizoi se nëse nuk bëhet një lloj projeksioni ideologjik kombëtar dy vendet do ta kenë shumë të vështirë.

“Po ta shikoni me kujdes botën serbe të gjithë projeksionet shkojnë drejt kryeqytetit drejt Beogradit. Duan apo s’duan përveç Republikës Sërpska kur Dodik bën një lloj karshillëku me Beogradin, të gjithë hapësirat e tjera i kanë sytë nga Beogradit. Ne kemi një dualizëm shumë të frikshëm. Prishtina dhe Tirana po rivalizojnë njëra-tjetrën. Nëse do të vazhdojë ky protagonizëm pa fund i Ramës e nëse nuk bëhet një projeksion ideologjik kombëtar për një lloj shqiptarizmi, ne do e kemi shumë të vështirë”, tha ai. /Telegrafi/