Drejtori i Institutit Ndërkombëtar të Sigurisë në Serbi, Orhan Dragash, thotë se presionet ruse ndaj Serbisë janë të hapura dhe kanë për qëllim të hapin një krizë të re… “Për Rusinë do të ishte ideale nëse kjo krizë e re ballkanike të ishte e armatosur dhe e përgjakshme, kurse Kosova është vendi ideal për një gjë të tillë”, tha ai.
Dragash thotë se “ata [Kremlini] e dinin shumë mirë se Sergej Lavrov [ministri i Jashtëm i Rusisë] nuk mund të vinte për vizitë në Beograd, por çështjen e mbajtën hapur deri në momentin e fundit”.
“Bëhet fjalë për presionin rus ndaj Serbisë që ekziston prej vitesh dhe për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, ai [presioni] po bëhet shumë më i fuqishëm, më i hapur dhe më e pamëshirshëm”, tha Dragash.
“Historia për bazat ushtarake, vizita e dështuar e Lavrovit në Beograd dhe veçanërisht aktivitetet ruse gjatë krizës së javës së kaluar në veri të Kosovës janë vetëm dëshmi e dukshme se Kremlini po kryen një operacion të fortë hibrid kundër Serbisë, qëllimi i të cilit është të përdorë Serbinë për interesat e saj luftarake në Ukrainë dhe për konfliktin e saj me Perëndimin”, vlerëson analisti serb.
Më tej, Dragash për gazetën serbe “Danas”, thotë se “Rusia, edhe pse ka vite që thotë se nuk ka asgjë kundër, në fakt nuk e do Serbinë në Bashkimin Evropian, e sidomos nuk e dëshiron atë në NATO, dhe po punon për këtë në mënyrë sistematike dhe të organizuar, duke përdorur të gjitha resurset që ka”.
“Që kur e sulmoi Ukrainën, presionet ruse ndaj Serbisë janë të hapura dhe kanë për qëllim të hapin një krizë të re, së cilës Perëndimi do t’i kushtohej shumë më tepër dhe do të zvogëlonte përfshirjen e tij në mbështetjen e Ukrainës. Për Rusinë do të ishte ideale nëse kjo krizë e re ballkanike të ishte e armatosur dhe e përgjakshme, kurse Kosova është vendi ideal për një gjë të tillë”, thotë analisti serb, transmeton Telegrafi.
Sipas analistit serb, ky është interesi real i Rusisë në raport me Serbinë, dhe kjo është pjesë e qëllimit të saj të luftës në Ukrainë, “kështu që çdo bisedë e mëtejshme për një lloj aleance, miqësie dhe vëllazërie është një fyerje për arsyen e shëndoshë”.
Dragash përkujton se kur u përshkallëzua problem lidhur me targat dhe letërnjoftimet e serbëve, Rusia në vetëm pak ditë kreu një operacion masiv për përhapjen e dezinformatave, nxitjen e drejtpërdrejtë të konfliktit dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme.
“Ishte një stuhi e vërtetë hibride, në të cilën jo vetëm kanale të njohura online u përdorën për të përhapur lajme të rreme, por edhe zyrtarët më të lartë rusë morën pjesë në të, nga Dmitry Peskov, Maria Zakharova, kreu i Dumës, ambasadori rus në Serbi, deri te propaganduesit më me ndikim rus dhe mediat”, tha Dragash.
Analisti serb vlerëson se ai operacion ende është në vazhdim, “kjo histori për bazat ushtarake është vetëm vazhdimësi e tij, e do të ketë edhe më shumë, sepse problemet mes Beogradit dhe Prishtinës nuk janë zgjidhur ende, por janë ngrirë për një muaj”.
“Ndërkohë, derisa po kërkohet një zgjidhje për to, Rusia do të përdorë dezinformata të tilla dhe të ngjashme për t’i bërë presion Serbisë, për të dobësuar pozicionin e saj, për ta detyruar atë të mbrohet nga lajmet e rreme, në vend që të fokusohet në çështjet kyçe për të, e kjo është mbi të gjitha Kosova”.
Gjithashtu, thekson Dragash, me këtë lloj presioni Rusia e komplikon edhe më shumë pozitën e Serbisë përballë Perëndimit, e cila edhe ashtu është e komplikuar për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, transmeton Telegrafi.
“Në këtë kuptim, deklarata e fundit e Aleksandar Lukashenkos [presidentit të Bjellorusisë] ishte një mesazh më se i qartë nga Moska se Serbia duhet të vendosë se cilën anë të mbajë, dhe ishte veçanërisht kërcënuese që presidenti bjellorus bëri një dallim midis politikës së autoriteteve në Beograd dhe asaj që mendon populli në Serbi”.
“Ky ishte në nivelin e një kërcënimi të drejtpërdrejtë, sepse të mos harrojmë se agresioni rus kundër Ukrainës u justifikua edhe me faktin se pushteti në Kiev u shkëput nga populli, i cili gjoja ishte në anën e Rusisë, prandaj trupat ‘vëllazërore’ do të vijnë për ta ‘çliruar’ Ukrainën nga autoritete të tilla jo popullore”, thotë analisti Dragash.
Megjithatë, Dragash beson se shteti është i vetëdijshëm për këtë sjellje agresive dhe në thelb armiqësore të Rusisë ndaj Serbisë, dhe veçanërisht, siç thotë ai, ka mjete dhe vullnet të mjaftueshëm për ta kundërshtuar.
“Sado joreale të jetë historia e vendosjes së disa bazave ushtarake, ajo ka qëllimin e saj të qartë dhe, për fat të keq, tashmë ka arritur një efekt të caktuar”.
“Fatkeqësisht, do të ketë edhe më shumë nënshtrime dhe përvetësime të tilla të Serbisë dhe qëllimi i tyre do të jetë vetëm një, përmirësimi i pozicionit të Rusisë në lidhje me agresionin kundër Ukrainës. Ndërsa Serbia mund të presë vetëm dëme të reja për veten dhe interesat e saj”, tha Dragash. /Telegrafi/