Site icon Telegrafi

Analisti nga Beogradi: Vuçiq po izolohet, atë po e mbështesin vetëm serbët e Kosovës

Gazetari dhe analisti nga Beogradi, Radomir Dimiq, ka ndarë përshtypjet e tij lidhur me protestën studentore që tronditi Serbinë më 15 mars, duke e përshkruar si një moment historik.

Dimiç ka theksuar se ky ka qenë një nga tubimet më të mëdha që ka ndodhur në Serbi, duke arritur rreth 800 mijë protestues.

Teksa mesazhi kryesor i studentëve, sipas Dimiq, ishte i qartë: Ata kërkojnë që presidenti Aleksandar Vuçiq të largohet dhe të lirojë institucionet që ai ka uzurpuar.

“Përshtypja ime është që e kemi pasur një tubim më të madh në historinë e Serbisë. Pra protesta studento-qytetare me afro 800 mijë protestues, sipas shënimeve të ekspertëve të Serbisë dhe të huaj. Pra, çka është mesazhi i studentëve: Boll më Aleksandar Vuçiq, liroi institucionet të cilat i ke uzurpuar.  Nuk ki më legjitimitet dhe as autoritet për ta udhëhequr shtetin serb dhe shoqërinë që e ke sëmurë. Kështu mund të definohet mesazhi i studentëve. Unë uroj studentet që nuk lejuan incidente, që ata kanë të gjitha meritat që nuk ndodhën gjëra të planifikuara nga pushteti”, ka thënë Dimiq në TV Dukagjini.

Më tej Dimiq thekson se pavarësisht reagimeve të pushtetit dhe përdorimit të “armëve sonike” për të shpërndarë protestuesit, studentët dhe qytetarët e Serbisë nuk do të ndalen.

Sipas tij, regjimi i Vuçiçit ka realizuar një “sulm terrorist” ndaj qytetarëve të vet dhe tani kërkohet një hetim ndërkombëtar për veprimet e tij.

“Vuçiq ndoshta mendon për veten që u forcua. Unë mendoj që jo. Sepse studentëve nuk ndalen, se ai përdori kundër tyre armën sonike për t’i shpërndarë protestuesit. Regjimi bëri një sulm terrorist ndaj studentëve dhe qytetarëve të vet. Tani kërkohet përgjigjja e tij. Kërkohet hetimi ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Dimiç parashikon se situata do të përkeqësohet dhe do të radikalizohet, duke theksuar se për Vuçiçin mbetet vetëm një mbështetje shumë e kufizuar, kryesisht nga serbët e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës.

“Mendoj që do të problematizohet çdo gjë në Serbi. Do të radikalizohen (protestat) sepse nuk e pranojnë shtetin e vetëm një njeriu, i cili quhet Aleksandar Vuçiq. Po të isha në vend të Vuçiq do të brengosesha se kam mbetur vetëm. Ai ka mbetur vetëm. Atë e mbështesin vetëm serbët e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës”, ka shtuar Dimiq.

Exit mobile version