Site icon Telegrafi

Analisti beogradas: Kisha Ortodokse Serbe po e shtynë Serbinë drejt luftërave me fqinjët

Analisti i njohur beogradas, Boshko Jakshiq, në një kolumne të tij, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të mitropolitit malazias , Amfillohije Radoviq, i cili së fundi kishte thënë se njohja e Kosovës si dhe konfirmimi e pranimi që ajo të bëhet e anëtare e UNESCO-s është tradhtia më e turpshme e Malit të Zi.

Liturgjia që mitropoliti Amfillohije e mbajti me rastin e Vitit të Ri sipas kalendarit Julian, në tempullin e ringjalljes së Krishtit, shkruan Jakshiq, rikujton fjalët e tij në varrimin e Zoran Gjingjiqit në tempullin e Shën Savës në Beograd.

“Mitropoliti dhe njëherësh prijësi i krahut militant të Kishës Ortodokse serbe sërish ka treguar se nuk heq dorë nga politizimi i fesë që jo vetëm se shkatërron themelet e shtetit sekular, por në mënyrë të vazhdueshme po e ushqen të djathtën nacionaliste, ndërkaq Serbinë po e shtynë në rrugë drejt luftërave me fqinjët e saj”, thekson Jakshiq.

Ai thotë se kjo nuk është hera e parë që me porosinë se “njohja e Kosovës është tradhti” personalitete të larta të Kishës Ortodokse serbe po e cenojnë dialogun mes Beogradit e Prishtinës në Bruksel.

Serbia sërish drejt tejkalimi të vijës së kuqe që ndanë kishën nga politika

Deklaratën e mitropolitit Amfillohije së Malin e Zi e udhëheqin “një grusht kulakësh që e kanë grabitur dhe janë pasuruar brenda natës”, Jakshiq e cilëson politike, duke shtuar se shteti serb duhet të distancohet nga deklarata të tilla, por se Serbia, siç thotë ai, po vazhdon të heshtë.

“Njësoj siç nuk është distancuar në mënyrën e duhur nga deklarata e patriarkut serb, Irinej, të dhënë me rastin e kërkesës së anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Asokohe ai kishte thënë se nëse ‘do të shpërthejë dhuna, duhet të bëjmë çmos që me të mirë ose më dhunë ta kthejmë Kosovën’”, u shpreh Jakshiq.

Kërcënime të tilla me dhunë të prijësve shpirtërore të ortodoksëve serbë, pohon Jakshiq, padyshim nxisin qëndrime provokuese luftënxitëse të cilat, për fat të keq, janë në rritje. Kështu, vlerëson ai, assesi nuk duket se kisha është e ndarë nga shteti.

Patriarku dinte edhe t’u bënte thirrje serbëve për të “rrëzuar Bosnjë e Hercegovinës dhe që Republika Srpskan ta inkorporojë në Serbi”.

Analisti Jakshiq përfundon se ndjellja e së shkuarës militante është gjithmonë e rrezikshme dhe se në kohën kur kudo rreth nesh po shihen shkëndija luftënxitëse, një gjë e tillë është diçka që më së paku do të kontribuojë në paqen fizike dhe shpirtërore. /Telegrafi/

Exit mobile version