Ligji për përdorimin e gjuhëve mori shumë vërejtje nga Komisioni i Venecias, ku thuhet se në sfera të caktuara ligji shkon shumë larg duke vendosur detyrime juridike joreale për institucionet publike. Nga Ministria e drejtësisë thanë se do t’i respektojnë rekomandimet kur të bëhen zyrtare.
Por profesori universitar Bashkim Selmani, thotë se përdorimi i gjuhës amtare është e drejtë natyrore që nuk mund të mohohet. Ai vlerëson se shteti nuk e ka për obligim zbatimin e rekomandimeve të Venecias, sepse siç thotë ky komision është vetëm këshillëdhënës.
Profesori i së drejtës kushtetuese Jeton Shasivari, thotë se Komisioni i Venecias, ishte në vendin tonë gjatë shtatorit për konsultime në ministrinë e drejtësisë dhe duhet ta dimë çfarë materiali u prezantua para tyre.
Secila tentativë për ndryshimin e ligjit, siç vlerëson Shesivari, do të hasë në pengesa nga deputetët shqiptarë për shkak të votimit të tij me Badenter në Kuvend.
Në vërejtjet e Komisionit të Venecias thuhet se në disa sfera të caktuara ligji shkon shumë larg duke u dhënë institucioneve publike obligime joreale juridike. I tillë është rasti me dispozitat me të cilat parashikohet përdorimi i gjuhës shqipe në seancat gjyqësore për të cilat nevojitet përgatitje shumëvjeçare që të zbatohen në tërësi. Ligji është miratuar në janar të vitit 2018 pa votat e partisë opozitare OBRM-PDUKM./TV21/