Site icon Telegrafi

Analistët thonë se Kosova ka hapësirë edhe për parti të reja politike

Foto: Arkiv

Analistët politikë thonë se për shkak të sistemit elektoral, Kosova ka hapësirë edhe për subjekte të reja politike, por sipas tyre gjendje politike në vend e pamundëson suksesin e tyre në një garë të mundshme.

Hapësirë për krijimin e subjekteve të reja politike ka, por jo në këto rrethana, thotë njohësi i çështjeve politike Rasim Alija.

“Hapësirë për subjekte të reja politike ka gjithmonë, mirëpo jo në rrethanat e tanishme që gjendet Kosova. Në këtë rrethana është shumë e vështirë kë krijohet një subjekt politik dhe të korr suksese deri në nivelin e hyrjes në Kuvend”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Rasim Alija.

Ndërsa analisti tjetër Fitim Salihu thotë se për shkak të sistemit elektoral, krijimi i një partie është veprim i lehtë, por sipas tij gjendja politike në vend e pamundëson suksesin e partive të reja.

“Gjasat janë të vogla që një parti e re ta kalojë pragun në Kuvend, e sidomos me daljen e Vetëvendosjes në opozitë. Vetëvendosje duke qenë një parti që predikon ndryshimin ajo përthith elektoratin që duan ndryshimet politike në vend”, deklaroi Fitim Salihu, përcjell Telegrafi.

Ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Faton Ismaili, mendon se kryeparlamentarja Vjosa osmani do të krijojë një parti të re për shkak të konflikteve me partinë aktuale ku është ajo.

“Mendoj se Vjosa osmani do të krijojë një parti të re politike për shkak të konflikteve që ajo ka si brenda LDK-së ashtu edhe me kundërshtarët e tjerë. Zonja Osmani e ka rastin ta krijoj një parti me orientim të qartë qytetarë dhe intelektualë. Për ta realizuar këtë asaj duhet t’i largojë disa vese të këqija që lidhen me autokraten apo arroganten. Pa këto vese ajo do të ishte një liderë interesante e një partie të re politike edhe për faktin se skena politike ka hapësirë për një parti të re politike me orientim qytetarë”, deklaroi Faton Ismajli. /RTV Dukagjini/

Exit mobile version