Telegrafi

Analistët shohin pak rezultate nga Samiti BE-Ballkan

Në Samitin ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, blloku evropian tha se ky rajon ka perspektivë evropiane dhe është rajon me “rëndësi strategjike”.

Por, sipas deklaratës, procesi i zgjerimit do të bazohet në reformat “kredibile nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe bazuar në parimet e meritave individuale”.

Analistët në “Debat Plus” kanë komentuar të arriturat e këtij samiti.

Visar Ymeri thotë se raportet e BE-së me Ballkanin po bëhet më problematik.

“BE nuk ka mbajtur premtimin sidomos ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të mos hapur anëtarësimin…Kurti megjithatë është dashur të refuzojë takimin e Vuçiqin në atë samit si shenjë proteste që Serbia ka ngritur avionët luftarak pranë kufirit me Kosovën. Takimi sikur gjithçka ka qenë normale nuk është dashur të ndodh”, deklaroi Ymeri.

Ylli Hoxha thotë se në fund të takimit kishte një deklaratë shterpe.

“Kosova kishte plotësuar kushtet dhe Bashkimi Evropian refuzon të vepron në bazë të meritave. BE ka treguar pa aftësi për t’u përballur me një situatë politike. I vetmja gjë pozitive nga ky samit është premtimi për fondin inventiv ku thuhet se do të investohen 29 miliardë në shtatë vitet e ardhshme përmes IPA fondeve”, deklaroi Hoxha.

Edhe Vehbi Kajtazi thotë se Kurti është dashur të bojkotojë një takim me Vuçiqin për shkak të agresionit serb në veri.

“Takimi është dashur të refuzohet pasi Serbia para disa ditësh shkeli hapësirën ajrore edhe me helikopterë jo vetëm me avionë luftarak. Kjo çështje nuk është dashur të kalojë aq lehtë. Mirëpo BE u mjaftua vetëm me një deklaratë “përshëndesim marrëveshjen për targat…Ne jemi populli më i mashtruar nga Bashkimi Evropian. Na janë premtuar vizat e nuk na janë liberalizuar”, tha Kajtazi/Telegrafi/