E përditshmja beogradase “Danas” shkruan sot se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Rusia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë të ia “lehtësojë barrën” Serbisë, por të njëjtën ftesë ia bëri edhe Spanjës, duke theksuar se Spanja “nuk është Serbia e Millosheviqit, dhe as Kosova nuk është Kataloni”.
Vetëm pak kohë pas këtyre deklaratave, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i ka bërë thirrje Bosnjë e Hercegovinës që ta njohë Kosovën.
Një nismë diplomatike e zyrtarëve kosovarë erdhi pas paralajmërimeve që Kosova këtë vit sërish do të aplikojë për anëtarësim në UNESCO, por edhe në Këshillin e Evropës, transmeton Telegrafi.
Duke vlerësuar veprimet e fundit të autoriteteve kosovare, Dushan Janjiq, president i Forumit për Marrëdhënie Etnike, ka thënë për “Danas” se fitohet përshtypja se Kosova ka bashkërenduar veprimet e saj me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në, si dhe që këto veprime të Kosovës ndërlidhen me “ndryshimin e mundshëm të politikës amerikane dhe rusë në Ballkan”.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, shkruan “Danas”, varet nga Rusia dhe, kështu, gjithçka varet nga “tregtia”. Rusia kontribuon me 30% të financave në Këshillin e Evropës dhe Kosova është e vetëdijshme për këtë.
Për sa i përket anëtarësimit në UNESCO, është reale të pritet që Kosova të pranohet sivjet në këtë organizatë për shkak të ndërrimit të qëndrimit të vendeve të tilla si Polonia dhe Japonia dhe mobilizimit të shteteve arabe dhe afrikane.
“Disa vende që e kanë njohur Kosovën në vjeshtë të vitit 2015 nuk kanë votuar për anëtarësimin e saj në UNESCO, por që tani pritet që të mbështesin aspiratën e Kosovës, ndërkaq një numër i madh i shteteve afrikane të cilat nuk ishin të pranishme në votim herën e shkuar do ta bëjnë këtë kësaj radhe, gjegjësisht Kosova do të përkujdeset që kjo të ndodhë”, thekson Janjiq.
Ai thotë se nuk duhet pritur që Rusia të bëhet “sponsore” e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, por që se Kosova po përpiqet të ndikojë në Moskën që të “zbutet” në qëndrimet e saj të deritashme, pra të bëhet neutrale.
Janjiq konstaton se synimi i Uashingtonit është që “rrëfimi për Kosovën të mbyllet”, dhe se “sfida kryesore” do të jetë se a do te arrijë Kosova që të fitojë “ulësen” në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Interesat e SHBA-së përputhen edhe me objektivat e NATO-s, prandaj duhet pritur që se shpejti të përmbyllet procesi i formimit të ushtrisë së Kosovës dhe hyrja e tërthortë e Kosovës në Aleancën Veriatlantike, si dhe uljen e mëtutjeshme të numrit të forcave të KFOR-it në vend. Gjithashtu, nuk e përjashtoj mundësinë që tema e anëtarësimit eventual të Serbisë në NATO të hapet gjatë fushatës vijuese për zgjedhjet parlamentare”, ka thënë Janjiq.
Presidenti i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, përfundoi për të përditshmen serbe “Danas” se nuk është e rastit që Kosova i ka bërë thirrje Bosnjë e Hercegovinës që ta njohë atë, sepse “është e vetëdijshme që kryetari i Republika Srpska-s, Millorad Dodik, është një sfidë për Sarajevën dhe Beogradin”. /Telegrafi/