Telegrafi

Analistët: Rubin, mesazh ‘dashamirësie’ për ‘krahun e luftës’

Analisti Belul Beqaj, ka theksuar për Telegrafin se “mesazhi” i Rubinit për atë pjesë të “krahut të luftës” që janë pjesë e klasës politike në Kosovës, që të largohen nga politika “sa nuk është bërë vonë”, është njëra nga këshillat më dashamirëse dhe korrekte që është dëgjuar nga miqtë ndërkombëtarë kohëve të fundit.

Sipas tij, sugjerimi i James Rubinit që personat eminentë të “krahut të luftës”, që janë pjesë e politikës, të largohen “me nder”, është i drejtë, ngase çdo vazhdim i jetës së tyre politike është “salto mortale” për shpëtimtarët e djeshëm.

“Më i përballueshëm është fundi zhgënjyes sesa zhgënjimi i pafund. Mendoj se porosia e Rubinit është shumë domethënëse. ‘Selami’ i diplomatit amerikan është vërejtja e fundit para se përfaqësuesit eminent të ‘krahut të luftës’ të mos e përdhosin definitivisht të kaluarën e lavdishme, duke përfunduar prapa grillave. Idealistët e djeshëm po dëshmohen, mjerisht, si materialistë të sotëm”, ka thënë Beqaj për Telegrafin.

Analisti Shpend Kursani, edhe pse e quan të drejtë “këshillën” e ish diplomatit amerikan James Rubin për pjesëtarët e “krahut të luftës” , nuk pajtohet tërësisht me këtë deklaratë.

“Pajtohem me deklaratën e James Rubinit, përpos dy gjërave. E para: nuk pajtohem me ish diplomatin amerikan, sepse ai ka harruar që ta shtoj vetëm një fjalë të vetme në mes të ‘krahut’ dhe ‘luftës’, duke e bërë atë ‘krahu oportunist i luftës’. Mendoj jo të gjithë nga krahu i luftës kanë qenë të dëmshëm për Kosovën, siç ishin të dëmshëm ata që e shfrytëzuan pushtetin për pasurim individual dhe familjar, e varfërim të popullatës”, ka theksuar ai për Telegrafin.

Kursani mendon se nuk duhet përgjithësuar “krahun e luftës” pasi ka shumë prej atyre që kanë qenë në “krah të luftës”, “mirëpo që nuk e shfrytëzuan pushtetin, por vazhduan punën për të mirë të vendit”.

“Mendoj se ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës mos të presin nga zyrtar të huaj që t’ua kujtojnë se çka është e mirë për ta dhe për vendin, por të lëvizin vetvetiu dhe të gjykojnë se jo ‘krahu i luftës’, por ‘krahu oportunist i luftës’ nuk ia arriti në paqe atë çka e nisën me luftë”, ka thënë Kursani për Telegrafin.

Kursani tha se Kosova është më e varfër se kurrë dhe, Serbinë e ka brenda territorit më shumë se kurrë më parë dhe atë (për herë të parë) me pajtim prej disave nga ‘krahu i luftës’, që e shfrytëzuan pushtetin për pasurim dhe fuqizim individual, familjar dhe klanor.

“Prandaj, e dyta pikë, ku nuk pajtohem me James Rubin është, se ata që keqpërdorën shpresën e qytetarëve për një Kosovë më të pavarur dhe më të pasur, nuk duhet larguar sa janë të popullarizuar, por duhet hetuar dhe gjykuar drejtë për veprimtarinë e tyre, si ishin e si nuk ishin të popullarizuar”, ka thënë Kursani. (B.D.)/Telegrafi/