Telegrafi

Analistët: Partitë politike nuk duhet të nguten me vijat e kuqe

Zgjedhjet e 6 tetorit po konsiderohen interesante dhe të paparashikueshme nga njohësit e çështjeve politike. Madje pati prej tyre që u sugjeruan subjekteve politike të mos nguten sa u përket vijave të kuqe.

Zgjedhjet e 6 tetorit po konsiderohen të paparashikueshme nga njohësit e çështjeve politike. Ramush Tahiri, analist, thotë se duke parë deklaratat e Lidhjes Demokratike të Kosovës teksa shprehen definitivisht kundër një koalicioni me PDK-në, atëherë kjo e fundit mund të mbetet në opozitë.

“Nëse ka pajtim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për koalicion pas zgjedhor dhe nëse merren votat e nevojshme, unë konsideroj se qeveria e ardhshme do të përbëhet nga këto parti. Ndoshta do të ndahet PSD-ja nga AAK-ja sepse këto parti nuk kanë aleancë programore por për zgjedhje. Ndoshta do të bashkohet edhe partia e Pacollit, varet edhe sa deputetë fiton – tre apo katër, në kuadër të NISMA-s sepse parashikimet nuk u japin shumë këtyre dy partive por edhe në gjendjen reale nuk kanë shumë”, shprehet për RTV Dukagjinin, Ramush Tahiri.

Edhe sipas njohësit politik Rrahman Paçarizi, këto zgjedhje do të jenë interesante.

Megjithatë ai thotë se partitë politike nuk duhet të nguten sa i përket vijave të kuqe sepse PDK-ja mund të ju duhet për partneritet.

“Ka disa vija të kuqe që janë vënë nga disa parti politike sidomos ndaj PDK-së duke menduar se kjo parti nuk do të dalë mirë në zgjedhje, mirëpo në bazë të sondazheve të fundit tregojnë një situatë krejtësisht tjetër dhe partitë politike do të detyrohen të gjejnë strategji dalëse. Mendoj se partitë politike po nguten kur po flasin për vija të kuqe”, tha Rrahman Paçarizi, përcjell Telegrafi. /RTV Dukagjini/Telegrafi/