Telegrafi

Analistët: OBRM-PDUKM dhe BDI nuk do të arrijnë marrëveshje (Video)

Maqedonia nuk do të fitojë qeveri të re, as të dielën dhe as të hënën. Analisti politik Blerim Hiseni në emisionin e mbrëmshëm në Klik Plus tha se nuk pret që deri më 29 janar, Gruevski dhe Ahmeti t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit për shumicë të re parlamentare. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte në dëm të shqiptarëve.

Qëndrim të ngjashëm kishte edhe profesori universitar Jeton Shasivari, i cili tha se një qeveri me 61 deputetët do të ishte shumë e brishtë.

Dygjuhësia, eurointegrimet dhe Prokuroria Speciale janë pikat kryesore ku Gruevski dhe Ahmeti nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët, thotë Albert Musliu.

Sipas Naser Selmanit, nuk përjashtohet mundësia që BDI dhe OBRM-PDUKM të formojnë qeveri, por kjo në këtë moment do të ishte varianti më i keq.

Ndërkohë, mandatarit Gruevski i kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë për të siguruar mbështetje nga Ahmeti për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Sipas informatave, dje lideri i BDI-së në takimin me nënkryetarët e partisë ua ka transmetuar qëndrimet e Gruevskit dhe se çfarë ishte biseduar në takime. Ndryshe, VMRO-DPMNE dhe BDI dolën me qëndrime të ndryshme për atë se kush i udhëheq bisedimet. Sipas VMRO-DPMNE-së, për formimin e qeverisë bisedojnë ekipet e punës, ndërsa sipas BDI-së negociata zhvillohen personalisht ndërmjet Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit./Telegrafi/