Telegrafi

Analistët nuk presin shumë nga takimi i nesërm në Bruksel

Nesër mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të ketë një takim por që do të jetë në nivel teknik.

Njohësit e çështjeve politike nuk presin ndonjë marrëveshje derisa sipas tyre SHBA dhe BE të mos jenë unike për procesin.

Mirëpo kryeministri Hoti thotë se në takim do të diskutohet edhe për marrëveshjen përfundimtare.

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se nuk mund të pritet diçka nga ky takim.

“Takimi i ardhshëm do të jetë një vazhdimësi e temave që janë diskutuar në takimin paraprak siç janë të pagjeturit, të zhvendosurit apo edhe tema që lidhen me copëza të marrëveshjes siç ka proklamuar Koordinatori Shtetërorë për Dialog, por është vështirë të presim diçka konkrete kur nuk ka diçka të që vërehet në terren”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arbër Fetahu.

Nga ana tjetër analisti Armend Muja thotë se nuk mund të pritet ndonjë marrëveshje derisa nuk ka unitet mes SHBA-së dhe BE-së, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se dialogu po bëhet për të akomoduar kërkesat e Vuqiçit.

“Pa pasur një ndryshim në qasje tek Administrata Trump por edhe tek Bashkimi Evropian nuk pres asgjë nga këto dialogje…Shumica e këtyre dialogjeve po bëhen për të provuar se cili mundet t’i bëjë presion Kosovës që të jep diçka. Dialogu nuk po bëhet për të mirën e Kosovës, por si të akomodohen kërkesat e Vuçiqit në Kosovë”, deklaroi Armend Muja.

Deri më tani takimet e konfirmuara janë ai i 27 gushtit në Bruksel në nivel ekspertësh dhe ai 4 shtatorit në SHBA në nivel krerësh shtetërorë./Telegrafi/