Site icon Telegrafi

Analistët në Kosovë e Shqipëri thonë se pas zhvillimeve në Ukrainë, “Open Balkan” s’ka më kuptim

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar është mbajtur takimi i fundit që Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut mbajtën për iniciativën “Open Balkan”.

Por, se kur do të mbahet një takim tjetër, ende nuk është bërë e ditur.

Arsyeja është lufta e nisur në Ukrainë nga Federata Ruse.

Për çka, Serbia është shteti i vetëm nga kjo nismë që ende nuk e ka dënuar këtë agresion rus.

Për profesorin Bekimin Baliqi, kjo nismë tashmë nuk ka asnjë kuptim.

“Nisma shkonte kryekëput në favor të Serbisë si një hegjemoni ekonomike me pretendime edhe politike në Ballkan, prandaj unë mendoj se Shqipëria duhet të tërhiqet dhe nisma të përmbyllet. Në këto rrethana nisma e tillë nuk ka më kuptim, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bekim Baliqi.

Kurse, pas mos renditjes se Serbisë krahë SHBA-së, analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni, mendon se Open Ballkan tani për tani i konvenon më së shumti Shqipërisë.

“Serbia nuk mund të bëjë më shumë se kaq pasi është krejtësisht e varur nga Rusia. Më këto veprime, ajo ka mbyllur aty pyetjet e vazhdueshme nga publiku shqiptar për të ardhmen e Ballkan Open”, deklaroi Andoni.

Se Serbia ka qartë pretendime territoriale, e thotë Ibrahim Gashi, profesor universitar.

“Serbia tashmë dihet se ka pretendime ndaj territorit të Kosovës. Sigurisht se në këto rrethana pala kosovare nuk mund t’i bashkohet kësaj nisme dhe do të jetë kundër saj”, deklaroi Gashi.

Në takimin që kishte Presidentja e Kosovë Vjosa Osmani dhe Kryetari i Kuvendit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kanë diskutuar për këtë nismë. Ndër tjerash në këtë takim është thënë se kjo nismë konsiderohet si mjet i Serbisë për shtrirje të hegjemonisë së saj në rajon./Telegrafi/

Exit mobile version