Site icon Telegrafi

Analistët: Në 11 vjet shtet, diplomacia kapitull i dhembshëm për Kosovën (Video)

Në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini është diskutuar për ecurinë e shtetit të Kosovës 11 vite pas shpalljes së Pavarësisë.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se diplomacia e Kosovës është kapitull i dhembshëm në këto 11 vite pavarësi.

“Fatkeqësisht të gjitha zyrat tona diplomatike në botë kanë shërbyer si ente punësimi për militantët partiak, se që kanë dërguar njerëz kompetentë dhe që kanë kredenciale për të përfaqësuar një shtet siç është Kosova”.

Mushkolaj ka thënë se diplomacia është e vetmja mundësi për të përfaqësuar shtetin tonë në botë.

“Mos të harrojmë se shumicën e njohjeve që i kemi marrë, janë si rezultat i lobimit të shteteve mike si SHBA, Franca, Gjermania etj.”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Mushkolaj ka thënë se vetëm nëse lexohen raportet e mediave kuptojmë se Kosova ka dështuar në diplomaci.

Analisti Artan Demhasaj ka thënë se njohjet nuk janë përdoruar për të ndikuar te bizneset e atyre shteteve për të investuar në Kosovë.

“Ky është qëllimi i diplomacisë. Pra, me lidhë marrëveshje ekonomike në mënyrë që të zhvillohet shteti. Ne kemi dërguar ambasadorë në shtete të ndryshme për të punësuar dikë dhe për t’i dhënë një rrogë të mirë. Lirisht kjo mund të quhet diplomaci familjare”.

Mushkolaj ka thënë se diplomacia duhet të shërbej edhe për ndërtimin e imazhit të shtetit e jo vetëm për t’u fituar njohja.

“Në vendet që na kanë njohur çfarë kemi bërë ne si diplomaci. Kemi dërguar ambasadorë në vendet ku nuk ka pasur nevojë, aty ka mundur që Kosova dhe Shqipëria të kenë vetëm një ambasadorë. Kemi shpenzuar miliona euro buxhet për këtë çështje”, tha ndër të tjera Arton Demhasaj./Telegrafi/

Exit mobile version