Site icon Telegrafi

Analistët mbështesin pohimet e prokurores speciale Katica Janeva për legjitimitetin e institucioneve

Analistët vlerësojnë se prokurorja speciale Katica Janeva me deklaratën e saj që vuri në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve të larta shtetërore, ka vërtetuar bindjen e opinionit të gjerë i cili gjithashtu ka pasur dyshime për parregullsi në disa cikle zgjedhore, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Naser Ziberi vlerëson se Janevës i mbetet vetëm të dëshmojë atë që ka bërë publike.
“Këtë, prokurorja do të duhet ta dëshmojë përmes proceseve të cilat do ti paraqes para organeve gjyqësore të cilat argumentojnë tezat e veta se pse ka qëndrim të këtillë. Koha në vijim do të jetë një test dhe sprovë edhe për Katica Janevën, për obligimet ligjore të cilat i ka marrë por edhe që të shfaqet një realiteti i cili do të mundësojë krijimin e një bindje tek qytetarët për zgjedhjet e kaluara dhe sidomos ndikimi i këtyre proceseve për procesin që na pret i cili detyrimisht duhet të jetë i ndershëm dhe i pranueshëm edhe nga faktori ndërkombëtar por edhe i brendshëm, në mënyrë që Maqedonia ta mbyll këtë kapitull të krizës”, tha për Alsat-M, Naser Ziberi, analist.

Nga ana tjetër analisti Jove Kekenovski thotë se me kontestimin e legjitimitetit të Institucioneve, Janeva vë në pikëpyetje edhe legalitetin e institucionit që ajo drejton.
“Nga aty mendoj se do të filloje edhe kaosi në Maqedoni dhe kur them kaos mendoj në kaos juridik, pasi duke e ditur se si funksionon gjykata kushtetuese, jam i mendimit se do të vjen deri tek vlerësimi i kushtetutës , vlerësimi i pajtueshmërisë së ligjit për prokurori speciale me kushtetutën e Maqedonisë. Mund të kemi organe jo legjitime që të zhbëjnë ndonjë ligj i cili është kundër kushtetues dhe të mos kemi as prokurori speciale”, u shpreh Jove Kekenovski, analist.

Prokuroria Speciale tanimë ka filluar procedura hetimi për parregullsi zgjedhore mirëpo vazhdimisht ka hasur në rezistencë nga institucionet e pushteti, ndërsa Janeva ka marrë mbështetje të vazhdueshme nga ndërkombëtarët./Telegrafi/

Exit mobile version