Site icon Telegrafi

Analistët: Marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë çojnë kah bashkimi kombëtar ekonomik (Video)

Marrëveshjet e arritura nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, po shihen si marrëveshje drejt rrugës së bashkimit kombëtar ekonomik. Ndërsa, njohësit e çështjeve politike dhe ekonomike, kërkojnë zbatimin e tyre.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Arton Demhasaj, thotë se marrëveshjet që kanë dal nga takimi i  dy qeverive në Pejë, bëjnë një hap të rëndësishëm drejt bashkimit kombëtar në aspektin ekonomik.

“Këto marrëveshje që janë më të shfrytëzueshme nga ana e qytetarëve të dyja vendeve, janë marrëveshja e roamingut dhe marrëveshja për unifikimin e doganave, mund të jetë pikënisja drejt bashkimit kombëtar”.

“…Në momentin kur hiqen taksat doganore, prodhuesit nga Kosova dhe Shqipëria nuk i kanë më vetëm tregjet e shteteve përkatëse, por një treg që përfshinë dy vendet. Kështu që është hapi fillestar i bashkimit ekonomik mes dy vendeve”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arton Demhasaj.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Zekirja Shabani, thotë se marrëveshjet e që qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nxjerrë në të kaluarën, nuk kanë gjetur zbatim në praktikë, por sipas tij, nëse marrëveshjet e fundit zbatohen do të ketë një bashkim ekonomik mes dyja vendeve, përcjell Telegrafi.

“Është një shenj drejt një bashkimi ekonomik. Por, jam skeptik për shkak të mos zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara deri tani. Sot ishin nëntë marrëveshje të nënshkruara nga ana e dy qeverive, ndërsa vitin e kaluar i kemi pasur 12 të tilla. Por, nga viti i kaluar deri më tani kemi parë që pak marrëveshje janë zbatuar në praktik… Ka optimizëm për shkak të koordinatorit [Fatmir Limaj] që do t’i mbikëqyr këto marrëveshje. Kjo do të thotë që në këto marrëveshje ka më shumë seriozitet se herëve tjera”, deklaroi Zekirja Shabani.

Zbatimin e marrëveshjeve të këtij viti, që buruan nga takimi i dy qeverive, do të mbikëqyren nga koordinatori Fatmir Limaj. Kostoja që qeveria e Kosovës ka shpenzuar për këtë takim, kap shumën prej 128 mijë eurosh. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version