Analistët politik në Maqedoni, ju bëjnë thirrje partive politike që të bojkotojnë Nikolla Gruevskin dhe partinë e tij, në mënyrë që të mos arrijë të formojë Qeveri. Sasho Ordanovski dhe Mersel Bilalli besojnë se mundësia e vetme për dalje të Maqedonisë nga kriza është koalicioni i gjerë mes LSDM-së dhe dy ose tre partive shqiptare me të cilët do të ketë numrin e mjaftueshëm të mandateve për formimin e Qeverisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sasho Ordanovski për TV Shenja, u shpreh se BDI-ja nuk do t’ia lejojë vetes të bëjë përsëri koalicion me OBRM-PDUKM-në në kushte kur pikërisht për shkak të koalicionimit me ata i humbi afro 67 mijë vota. Por, ai beson se me ankesat e partive dërguar KSHZ-së do të ndryshojë edhe rezultati i zgjedhjeve, i cili do të nxjerr LSDM-në si fituese dhe BESËN më afër BDI-së.
Mersel Bilalli për TV Shenja thotë se çdo kombinim është në lojë dhe është herët të flitet për ndonjë koalicion pa dalë rezultatet pas ankesave. Por, ai beson se i vetmi kombinim, i cili do ta ndihmonte Maqedoninë drejt rrugës së reformave është ai LSDM, BESA, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe nëse ka nevojë edhe PDSH. Por, asesi Qeveri me Nikolla Gruevskin.
Ekspertët thonë se nëse dështojnë të gjitha mundësitë për ndryshimin e rezultatit për koalicionim mes partive shqiptare dhe LSDM-së, ka gjasë që me presion ndërkombëtar të formohet ndonjë koalicion i zgjeruar por që nuk do të ketë jetëgjatësi dhe përsëri ka gjasë që shpallen zgjedhje./Telegrafi/