Site icon Telegrafi

Analistët: LSDM dhe OBRM-PDUKM, shqiptarët i kanë shndërruar në monedhë për kusur

Sipas njohësve të rrethanave politike, edhe pse BDI dhe PDSH sollën një tërmet në skenën politike shqiptare, duke i detyruar mijëra votues shqiptarë të arratisen në kampin politik maqedonas, shqiptarët nuk duhet të lejojnë që të jenë monedha për të paguar kusurin mes partive politike maqedonase.

Për kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Shqiptarë (SHBSH), Shpëtim Pollozhani, ky dimension regresiv me të cilin karakterizoheshin zgjedhjet e fundit është si pasojë e qeverisjes së gabuar të partive të vjetra parlamentare shqiptare, BDI dhe PDSH. Pollozhani tha se nuk është normale që mijëra vota shqiptare të shkojnë për kampin politik maqedonas, derisa nga ana tjetër as edhe një votë e vetme e një maqedonasi, qoftë edhe gabimisht, nuk është hedhur në kutitë e partive shqiptare.

Ndërkaq analisti politik, Milaim Fejziu e cilëson këtë si një veprim avanturier të shqiptarëve, megjithatë për të mbetet e paqartë se në cilën platformë apo program e kanë gjetur veten shqiptarët, për të bërë një veprim të tillë.

Analistët për TV Shenja vlerësojnë se shqiptarët nuk duhet të ndjehen si jetimë, apo si votues që nuk kanë përfaqësues, pasi sipas tyre, tanimë në skenën politike janë edhe dy parti të reja parlamentare shqiptare, të cilat kanë sjellur progres në këto zgjedhje. Sipas tyre, Lëvizja Besa dhe LR-PDSH, kanë pasur dhe kanë akoma një ndikim në realizimin e të drejtave dhe kërkesave të shqiptarëve.

Sipas analistëve kjo situatë e manifestuar në këto zgjedhje, mund të karakterizohet edhe me vetëdije të ulët kombëtare, pasi sipas tyre, vetëm në një situatë të tillë do mund të bëheshin këso eksperimentesh.

Exit mobile version