Autoritetet e Kosovës duhet t’i marrin seriozisht kërkesat dhe thirrjet e shteteve perëndimore që ndërlidhen me taksën doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, thonë analistët politikë në Prishtinë.
Përderisa në Qeverinë e Kosovës ritheksojnë zotimin se taksa doganore për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës do mbetet në fuqi deri në arritjen e qëllimit, analistët politikë thonë se Qeveria dhe institucionet përgjegjëse duhet të ulen me përfaqësuesit ndërkombëtar për të biseduar në lidhje me thirrjet e vazhdueshme për shfuqizimin e vendimit.
Analistët, konsiderojnë se përtej euforisë, duhet shikuar edhe efektet e vërteta të taksës, pasi që ajo, sipas tyre, në radhe të parë ka bllokuar procesin e dialogut, por edhe në njëfarë forme ka ‘acaruar’ raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar.
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova duhet të veprojë me kujdes dhe maturi lidhur me taksen doganore për prodhimet që vijnë nga Serbia, por edhe t’i ruajë raportet me shtetet që Kosova i sheh si aleate.
“Nëse Kosova këmbëngul me taksën prej 100 për qind do të identifikohet si bllokuese e gjithë procesit të dialogut dhe do të ketë pasoja të mëdha. Pra, do të ketë një izolim të shtetit të Kosovës, do të ketë një prishje të madhe të raporteve me aleatet tanë ndërkombëtar, me SHBA-në në veçanti dhe do të pengohet secili proces edhe ashtu i vonuar i integrimit në Evrope”, tha Muhaxhiri.
Sipas tij, trysni do të ketë në Kosovë, si në rast se modifikohet, shfuqizohet apo vazhdohet me masën e taksës doganore, ngase presionet mbi qeverinë, mund të vijnë qoftë nga subjektet politike në Kosovë apo nga faktori ndërkombëtar, varësisht se cili do të ishte vendimi.
“Bllokimi i dialogut që ka ardhur si pasojë e [taksës] nuk mund të vazhdojë sepse në këtë fazë finale të dialogut janë përfshirë edhe superfuqi si Amerika dhe Rusia, prandaj nuk do të lejohet që asnjë akter i bisedimeve, qoftë Kosova apo edhe Serbia ta bllokojnë një proces të tillë”, tha Muhaxhiri.
Qëllimi final i taksës, sipas kryeministrit Ramush Haradinaj është dhe mbetet që Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës.
Ai ka pranuar se krahas Bashkimit Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ritheksuar qëndrimin për pezullimin e taksës.
Por, siç ka thënë Haradinaj, problemi i taksës nuk ndërlidhet me faktorin ndërkombëtar, por me qëndrimet e Serbisë karshi shtetit të Kosovës.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, njohëse e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, konsideron se përkushtimi i Kosovës në procesin e negociatave më Serbinë duhet të vazhdojë deri në fund dhe nuk duhet të ketë pengesa nga ana e Kosovës, pavarësisht pengesave nga ana serbe.
Ajo thotë se Kosova procesin e dialogut duhet ta shoh në interes të forcimit të shtetit të Kosovës, si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Palës kosovare i mbetet që të shoh e të diskutojë në këtë rast edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi modalitetet mbi të cilat do të ishte e gatshme për të rishikuar këtë taksë në mënyrë që të vazhdojë përpara, qoftë edhe në procesin e dialogut, por qoftë në çdo fazë në ruajtjen e interesit të shtetit të Kosovës “, tha Krasniqi.
Para së gjithash, ajo thotë se kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shfuqizimin e taksës, do të duhej të shqyrtohej në Prishtinë.
“Pasoja mund të ketë nëse ne mund të dëmtojmë këtë aleancë strategjike [me SHBA-në], por unë besoj se pala kosovare do të jetë konstruktive për të vazhduar ruajtjen, mbajtjen e aleancës dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të vendit”,tha Krasniqi.
Edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë theksuar se dialogu kërkon një dinamikë të shtuar në gjysmën e parë të këtij viti, por për zhvillimin e tij nevojitet një klimë më e mirë dhe për këtë arsye Kosova duhet ta tërheqë vendimin për taksën.
Qeveria e Kosovës, kishte vendosur taksën doganore 100 për qind ndaj prodhimeve që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina më 21 nëntor të vitit 2018.
Kjo taksë, pasoi fushatën diplomatike të Serbisë kundër njohjeve të Kosovës, kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL si dhe fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, nga disa vende që tashmë e kishin njohur atë si shtet.