Site icon Telegrafi

Analistët komentojnë “vijat e kuqe” të Albulena Haxhiut ndaj kandidatëve të mundshëm për president

Analistët në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini kanë komentuar “vijat e kuqe” të Albulena Haxhiut për disa nga kandidatët e përfolur për president.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se është për t’u habitur pse për Vetëvendosjen në prag të rrëzimit të qeverisë, Murat Jashari bënte për president e tash nuk bën, përcjell Telegrafi.

“Rexhep Qosjen as Vetëvendosje nuk besoj se e ka pasur kandidatë për president. Sa i përkët zotit Jashari, kur ai i duhet Vetëvendosjes ai bën, ndërsa tash “bën po jo këtë herë” sipas zonjës Haxhiu”, ka thënë Imer Mushkolaj.

Analisti Visar Ymeri nga ana tjetër thotë se Albulena Haxhiu më shumë se per personat kishte vija të kuqe për procesin e zgjedhjes së Presidentit.

“Papjekuria e subjekteve politike do të bëjë që përsëri të ndërhyrë edhe faktori ndërkombëtarë. Edhe nëse do të fitonte Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit nevojiten 81 vota. Me kë do të bënte Vetëvendosje konsensus”.

Vehbi Kajtazi ka thënë se e vetmja mënyrë që të zgjidhet ngërçi me presidentin, do të ishte që LVV, LDK e PDK të kenë kandidatët e tyre për president.

“Po të isha në vend të Murat Jasharit, ua kisha ndaluar ta përmendin emrin në kësi lloj pazaresh politike…Në fund mendoj se marrëveshja do të arrihet mes LDK, PDK, AAK dhe NISMA dhe kjo do ta konfigurojë përbërjen e qeverisë dhe detaje tjera”, ka deklaruar, Kajtazi.

Analistja Donika Emini thotë se Albulana Haxhiu mbrëmë vendosi disa vija të kuqe “pa shumë dhimbje” dhe disa vija të tjera të kuqe me njëfarë dhimbje.

“Po shihet se zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë Vetëvendosje dhe partitë tjera ndoshta do ta pranojnë çfarëdo propozimi për t’i evituar zgjedhjet”, deklaroi më tej Donika Emini./Telegrafi/

Exit mobile version