Site icon Telegrafi

Analistët: Kjo qeveri do të mbijetojë deri në themelimin e Asociacionit  

Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i mbijetojë kërcënimeve nga Aleanca Kosova e Re dhe Lista Serbe, pasi që nuk është në interesin e tyre të dalin nga qeveria Haradinaj.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e rrethanave politike në vend në një prononcim për Telegrafin.

Analisti Belul Beqaj, ka thënë se do të ishte mirë që aventura e kësaj qeverie të përfundoj pas deportimit të kundërligjshëm të turqve për në Turqi.

Sipas tij, interesi i qeveritarëve për të mbetur në pushtet është shumë më i fuqishëm se sa argumentet për largimin e tyre.

“Duke u nisur nga fakti se si është krijuar kjo qeveri, kush dhe si po e udhëheq këtë qeveri, kam vlerësuar se kjo qeveri është aventuriste me kryeministër aventurier. Prandaj, do të ishte mirë që aventura e kësaj qeverie të përfundoj pas deportimit të kundërligjshëm të turqve për në Turqi…Por, interesi i paepur i tyre për të mbetur në pushtet, pavarësisht nga ndryshimet, është shumë më i fuqishëm se argumentet e largimit të kësaj qeverie”, potencoi Beqaj.

Ai shtoi se Kosova nuk rrezikohet nëse bie qeveria, por nëse mbetet kjo qeveri, edhe pse kjo qeveri do të mbijetoj deri në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS).

“Kosova nuk rrezikohet aq shumë nëse bie qeveria, Kosova rrezikohet më shumë nëse mbetet qeveria. Megjithatë, prognozoj se kjo qeveri, mjerisht, do të mbijetojë edhe për kalimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), pastaj , shpresoj se do të filloj fundi i kësaj klase politike, oligarkëve dhe armatës së poltronëve që janë bashkangjitur”, u shpreh Beqaj.

Ai tha se të gjitha betejat që i ka fituar kjo klasë politike përmes krizave të shkaktuara, do të përfundojnë me luftën e humbur.

“Mjerisht , ne si qytetarë do të turpërohemi me lidershipin politik me të cilin kemi menduar se do të duhej të ishim krenar”, ka thënë Beqaj.

Edhe njohësi i rrethanave politike në vend Imer Mushkolaj, bëri të ditur për Telegrafin se AKR-së nuk i konvenon të dal nga qeveria e Republikës së Kosovës nëse shkarkohet ministri i MPB-së, Flamur Sefaj.

Ai u shpreh i bindur se AKR-ja do të pajtohet me kërkesën e kryeministrit Haradinaj për lirimin nga detyra të ministrit Sefaj.

Kjo qeveri, shtoi ai, do të vazhdojë pavarësisht edhe qëndrimeve të Listës Serbe, sidomos në këtë fazë kur kërkohet themelimi i Asociacionit.

“Besoj se qeveria do të vazhdojë pavarësisht numrave që i ka AKR-ja, sepse nuk e ka fuqinë që ta rrëzojë këtë qeveri. AKR-ja do të pajtohet me verdiktin e kryeministrit Haradinaj për ta shkarkuar ministrin Sefaj. Ky kërcënim nuk e rrezikon Qeverinë e Kosovës, jo pse s’mund ta bënte AKR-ja një veprim të tillë, por për shkak se nuk është as në favor të vetë AKR-së . Ne e dimë sa fuqi qeverisëse ka me aq pak vota, kështu që më së paku do t’i shkonte AKR-së kjo gjë”, theksoi Mushkolaj.

Sa i përket Listës Serbë, Mushkolaj tha se ata janë pozicionuar si opozitë në parlament, mirëpo nuk ju shkon në favor të dalin nga koalicioni qeverisës, sidomos jo tash kur duan ta themelojnë Asociacionin. /Telegrafi/

Foto: Arkiv

 

Exit mobile version