Deklaratat e presidentit Gjorge Ivanov se një telefonatë në momentin e fundit e ka prishur marrëveshjen për koalicion mes BDI-së dhe OBRM-PDUKM-së, ka dëshmuar se partia e Gruevskit e shfrytëzon deklaratën e partive shqiptare si alibi për të mbajtur pushtetin. Kështu vlerësojnë për TV Shenja analistët politik Ismet Ramadani dhe Todor Pendarov, sipas të cilëve shfaqjet publike të presidentit Ivanov po e ndërlikojnë gjithnjë e më tepër krizën politike në vend.
“Të gjitha ata spekulime sikur i konfirmojë dekarata e fundit e Ivanovit, kur përmendi telefonata të cilat kanë qenë vendimtare për ta penguar BDI-në që të formojë qeverinë me OBRM-PDUKM-në, dhe nëse është kështu është një çështje shumë e dhimbshme, shumë e keqe për shqiptarët, që në një subjekt politik të bashkëqeverisë ose të tentojë të bashkëqeverisë edhe më tutje me një OBRM-PDUKM të Gruevskit”, deklaroi Ismet Ramadani.
Ndërsa, analisti Todor Pendarov, vlerëson se deklarata e tillë e Ivanovit është një hap para drejt shkatërrimit të legjitimitetit të tij. Pendarov madje thotë se deklarata e Ivanovit që një bisedë telefonike ka prishur marrëveshjen, hapë shumë dilema dhe spekulime por i ngulë thikë pas shpine edhe Gruevskit./Telegrafi/