Kanë kaluar mbi tre muaj prejse postet qeveritare të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme kanë mbetur të zbrazëta, ndërsa Qeveria vazhdon ta zgjasë edhe më shumë plotësimin e këtyre vendeve.
Para dhjetë ditësh, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, tha për KALLXO.com se PDK-ja pret që brenda javës të përfundojë procesi i riformatizimit, por kjo nuk ndodhi.
“Ne si parti kemi propozuar zëvendëskryeministër Hajredin Kuçin, ministër të Punëve të Jashtme Enver Hoxhajn dhe ministër të Drejtësisë Gani Kocin”, tha Musmurati.
Analisti Driton Selmani, zvarritjen e plotësimit të vendeve të zbrazëta në Qeveri e lidh me Ministrinë e Drejtësisë dhe Gjykatën Speciale.
“PDK-ja ende nuk po mundet me gjet personin që do të ishte i gatshëm të ballafaqohet me sfidën ma të madhe pas shpalljes së pavarësisë, pasi atij ministri do t’i binte të përballej me akuzat e para, e ndoshta edhe me arrestimet e para”, tha Selmanaj për KALLXO.com.
Edhe analisti Nexhmedin Spahiu fajëson PDK-në për zvarritjen, pasi sipas tij kjo parti po dëshiron zgjedhje të reja.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kishte kërkuar riformatizim të gjerë të Qeverisë më 10 maj, ndërsa sekretari i PDK-së, Musmurati, tetë ditë më vonë tha se në Qeveri do të plotësohen vetëm vendet e zbrazëta.
Dy postet qeveritare mbetën bosh pasi Hashim Thaçi, që i mbante ato, u zgjodh president më 26 shkurt.