Samiti i Parisit i cili ishte i planifikuar të mbahej me 1 korrik, është shtyrë për një kohë të pacaktuar, këtë e ka konfirmuar Qeveria gjermane.
Demush Shasha nga instituti EPIK në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se gjasat kanë qenë të vogla që Samiti i Parisit të mbahet duke pas parasysh sipas tij qëndrimet diametralisht të kundërta të dy vendeve rreth çështje së taksës, si dhe mungesës së konsensusit politik brenda dy vendeve respektive.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të kthehen sa më shpejt në tavolinën e dialogut me synimin e normalizimit të marrëdhënieve
“Në takimin e fundit të Këshillit të BE-së, arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është cilësuar si kritike për avancimin e rrugës Evropiane të të dy vendeve. Është parë tani me një kohë që gjasat janë të vogla që Samiti i ardhshëm të mbahet duke pas parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të dy vendeve rreth çështje së taksës, si dhe mungesës së konsensusit politik brenda dy vendeve respektive. Kosova dhe Serbia duhet të kthehen sa më shpejt në tavolinën e dialogut me synimin e normalizimit të marrëdhënieve. Por para kësaj, institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të ndërtojnë konsensusin e brendshëm kushtetues prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës për kornizë negociuese me Serbinë”, ka thënë ai.
Shasha ka thënë se institucionet duhet të fillojnë një dialog të koordinuar me SHBA dhe BE-në. Ndërkaq lidhur me heqjen e taksës, ai ka thënë se duhet të diskutohet brenda spektrit politik të Kosovës.
“Njëkohësisht, institucionet duhet të fillojnë një dialog të koordinuar me SHBA-në dhe BE-në, me qëllim që të sigurohet se qëndrimet e Kosovës kanë mbështetjen trans-atlantike. Kosova nuk guxon të lejoj të jetë çështje ndarëse mes SHBA-së dhe shteteve të BE-së. Sa i përket heqjes së taksës, konsideroj se kjo çështje së bashku më shumë çështje të tjera duhet të diskutohet brenda spektrit politik të Kosovës, në kuadër të përkufizimit të kornizës tonë negociuese. Në këtë mënyrë, Kosova do të tregonte se ka konsensus të brendshëm për të hyrë në dialogun me Serbinë, si dhe ka qëndrime të qarta rreth vijave të kuqe, si dhe synimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”, ka theksuar ai duke shtuar se dialogu nuk ka alternativë dhe se sipas tij çdo shtyrje e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve do të përkthehet në shtyrjen e proceseve integruese për dy vende.
Ndërsa sipas analistit Belul Beqaj, në Paris nuk duhet shkuar për ekskursion.
Në një deklaratë për Telegrafin, Beqaj ka thënë se Parisi duhet të jetë strumbullar i përmbylljes së dialogut të filluar para shtatë viteve.
“Nëse ndërkohë arrihet dakordim për pezullimin e tarifës dhe modelit të zgjidhjes së problemit të serbëve brenda kufijve ekzistues, dhe zgjidhet personi i duhur në krye të Komisionit Evropian, atëherë Parisi do të ndodhë. Por, mos të harrojmë se SHBA-të, janë të interesuara për të luajtur rolin përcaktues që mund të jetë në dis-harmoni me disponimin e Gjermanisë dhe Francës”, ka thënë ai.
Beqaj ka thënë se mosmbajtja e këtij Samiti nuk është dështim.
“Dështim do të ishte nëse takimi i Parisit do të ketë mesazh turistik. Shtyrja eventuale e takimit duhet të kuptohet vetëm si arsye e harmonizimit dhe përgjegjësisë më të lartë të vendimmarrjes. Ndërsa tarifa nuk duhet të jetë pengesë për përmbushjen e marrëveshjeve të arritura, të cilat nuk janë implementuar. Tarifa duhet pezulluar edhe nëse delegacionet shprehimisht kërkojnë zgjidhjen e raporteve të ndërsjella brenda kufijve ekzistues”, është shprehur ai.
Telegrafi ka kontaktuar edhe zyrën e presidentit dhe të kryeministrit për të ditur nëse janë të informuar për shtyrjen e këtij takimi, por nuk ka marr përgjigje. /Telegrafi/