Telegrafi

Analistët e vlerësojnë si pozitive javën e parë të fushatës zgjedhore në Maqedoni

Në përmbyllje të javës së parë të fushatës zgjedhore, analistët vlerësojnë se ajo ka qenë e qetë, pa incidente të theksuara dhe pa tensione të mëdha mes qytetarëve të nxitura nga partitë politike dhe oponentët e tyre.

“Ky është fryti i përvojave të kaluara nga ciklet zgjedhore kur në fillim të fushatës kemi pasur retorikë shumë të ashpër, parregullësi, incidente, etj. Kjo ngjan me diçka që Maqedonia duhet ta praktikojë edhe në ciklet e ardhshme zgjedhore në periudhën e ardhshme. Shoh që edhe retorika e liderëve dhe folësve në këtë fushatë në sasi të madhe ka ndryshuar. Gjithsesi bëhen sulme të caktuara megjithatë retorika është me e butë që më bën të mendoj se Maqedonia tashmë hapëron drejt demokracisë parlamentare dhe drejt agjendës evropiane zgjedhore”, deklaroi analisti Vllado Dimovski.

Sipas Dimovskit, në ditët e mbetura të fushatës zgjedhore, retorika nacionaliste mund të rritet por ka përfunduar koha e nxitjes së tensioneve dhe konflikteve mes grupeve etnike.

Albert Musliu nga ana tjetër, vlerëson se zbutja e tensioneve dhe retorikës ndëretnike është si rezultat e përvojës së hidhur pas zgjedhjeve parlamentare, por edhe përshkak të nevojës së bashkëpunimit mes partive nga blloku shqiptar dhe maqedonas, në disa komuna të caktuara.

“Vërehet zbutje përshkak të nevojës së bashkëpunimit në zgjedhjet lokale. Ne, bashkëpunim në zgjedhjet lokale kemi pasur që prej pavarësisë së Maqedonisë. Ka shumë komuna specifike ku njërit ose tjetrit komunitet i duhen votat e komunitetit tjetër dhe mendoj se kjo është edhe shkaku i zbutjes. E dyta, ne kaluam një cikël shumë të keq pas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit. Vërehet një tendencë për një reformim ose ndryshim të qasjes edhe te subjektet që ishin më eksplicite nacionaliste”, tha analisti tjetër Albert Musliu.

Fushata zgjedhore ka filluar më 25 shtator dhe do të zgjasë deri në mesnatën e 13 tetorit./Telegrafi/