Telegrafi

Analistët “deshifrojnë” strategjinë elektorale të PDK-së në këto zgjedhje

Analistët në “Debat Plus” kanë folur për fushatën dhe strategjinë që po ndjek PDK në këto zgjedhje.

Imer Moshkolaj thotë se PDK është duke ndjekur një linjë të ashpër ndaj Albin Kurtit dhe Nismës.

“Është interesant se PDK nuk po merret me LDK-në, por vetëm me LVV-në e Nismën. Dje dhe sot kemi parë deklarata të ashpra të Hoxhajt kundër Limajt dhe Nismës se kush ka më shumë të drejtë në trashëgiminë e UÇK-së”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Krenare Vokshi-Shala thotë se PDK është në një nivel tjetër për dallim nga 10 vite më parë.

“Mos të harrojmë se PDK për shumë vite ka qenë target i të gjitha partive politike duke u sulmuar, sidomos lideri i asaj kohe Hashim Thaçi. Shumë njerëz janë ngritur politikisht duke sulmuar PDK-në dhe Thaçin. Në këto zgjedhje po e shohim PDK-në në një nivel tjetër edhe për shkak të mungesës së Kadri Veselit. Por pavarësisht këtyre gjërave disa zyrtarë të PDK-së nuk po rreshtin së sulmuari Vetëvendosjen”.

Xhavit Drenori thotë se PDK nuk ka çfarë  të humb dhe duhet të sulmojë aty ku e sheh rrezikun.

“Është e qartë se PDK nuk po e sheh rrezikun te LDK. Vota po i rrezikohet nga LVV dhe është strategji e drejtë e Hoxhajt që po kërkon debat me Kurtin. Debati është i nevojshëm dhe ai i kontribuon demokracisë”.

Ilir Mirena thotë se strategjia elektorale e PDK-së është në suaza të normales për të fituar më shumë vota.

“PDK po bënë fushatë në aspektin vizual dhe atë përmbajtësorë. Në këto dy rrafshe PDK po funksionon më mirë se partitë tjera. Edhe në aspektin përmbajtësorë  kjo parti është e vetmja që ka prezantuar diçka konkrete. LVV që po del e para në sondazhe asgjë konkrete nuk ka prezantuar por është marrë vetëm me sulme ndaj KQZ-së”.

Gazetari nga Shqipëria Ilir Babaramo thotë se Albin Kurti nuk ka pse ta pranojë debatin me Enver Hoxhajn derisa del bindshëm i pari në sondazhe.

Visar Ymeri thotë se PDK në këto zgjedhje është duke iu shmangur temës së dialogut dhe të kaluarës.

“PDK po i shmanget edhe të kaluarës së saj dhe mbylljes së asaj kaptine. Qeverisja e PDK-së është ndër shkaqet që kaq shumë është rritur sot Vetëvendosje. PDK po flet sikur të kishte qenë në opozitë prej pesë vitesh e në fakt ajo është në opozitë vetëm një vit…PDK sot ka problem kredibilitetin. Premtimet e saj nuk merren njëjtë si në vitin 2007”, tha mes tjerash Visar Ymeri./Telegrafi/