Tri ditë para ditës kur pritet të bëhet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, AAK dhe PSD kanë zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor. Sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet këtyre dy partive, bartës i listës në zgjedhjet e parakohshme do të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa pas tij do të radhitet lideri i PSD-së, Shpend Ahmeti.
Partia Socialdemokrate në listën e përbashkët zgjedhore me AAK-në, do t’i ketë 25 vende.
Lidhur me formimin e këtij koalicioni parazgjedhor për Telegrafin kanë folur analistët politikë, të cilët kanë analizuar bashkimin e këtyre dy forcave, pak para shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.
Analisti politik, Ramush Tahiri, konsideroi se koalicioni AAK-PSD nuk është koalicion i barabartë.
“Koalicionet parazgjedhore kanë shkuar pak herët, sepse ende nuk është shpërndarë Kuvendi i Kosovës, dhe nuk mund të regjistrohen ende në KQZ. Mirëpo si lloj bashkëpunimi është mirë, është në vullnetin e partive dhe liderëve që t’i pranojnë koalicionet parazgjedhore. Koalicioni nuk është ndarë në mënyrë të barabartë, nga 110 deputetë të mundshëm, PSD ka vendosur të hyjë me 25, që do të thotë nuk e ka pranuar forcën reale, mirëpo kjo mund të nënkuptohet se kanë lënë vende edhe për partitë tjera që dëshirojnë të hyjnë në koalicion”, ka thënë Tahiri për Telegrafin.
Analisti ka pohuar se koalicioni më i rëndësishëm është ai që bëhet pas zgjedhjeve.
“Këto koalicione kanë qëllimin me marrë sa më shumë deputetë – mos me i humb zgjedhjet dhe kanë qëllimin me dalë e para, sepse i pari ka të drejtë të kandidojë kryeministrin. Këto koalicione nuk janë programore dhe nuk janë koalicione qeverisës”, u shpreh ai.
Tahiri tha se, në koalicione parazgjedhore hyjnë partitë e vogla, të cilat frikësohen që mund të mos e kalojnë pragun zgjedhor.
Koalicionin parazgjedhor mes AAK-së dhe PSD-së, e ka analizuar edhe analisti Belul Beqaj.
Ai ka thënë për Telegrafin se AAK është një parti e cila ka njerëz të korruptuar, kurse për PSD-në ai ka thënë se po e ndjek rrugën e mbijetesës.
“Koalicioni parazgjedhor mes AAK-së dhe PSD-së, është e drejtë legjitime e partive që kanë pretendime të për të mbet (AAK) dhe për të qenë pjesë e pushtetit (PSD). Çështje krejt tjetër është ana morale. Por, për moral, asnjë parti nuk mund të lavdërohet, përkundrazi”.
Beqaj nuk e ka përjashtuar edhe krijimin e koalicioneve tjera.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i PSD-së, Shpend Ahmeti, në një konferencë të përbashkët të thirrur për media kanë njoftuar për arritjen e marrëveshjes, që në zgjedhjet e parakohshme të garojnë së bashku.
Ata kanë thënë se koalicioni AAK-PSD është i gatshëm për zgjedhje dhe se janë pretendentët kryesorë për t’i fituar zgjedhjet.
Po ashtu, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka disponim që të lidhin koalicion edhe me parti tjera.
Ndërsa gjatë ditës së sotme Haradinaj ka zhvilluar edhe një takim me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, ku kanë diskutuar rreth mundësisë së hyrjes në koalicion parazgjedhor. /Telegrafi/