Site icon Telegrafi

Analistët: Bashkimi i opozitës – bashkim i zorit

Dalja në një konferencë të përbashkët për media e zyrtarëve të partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës për Kosovën, nga analistët po vlerësohet si “bashkim” i zorit i bllokut opozitar.

Analisti Arben Ahmeti, mendon se ky është bashkim, është bashkim i një opozite të papërfillshme në numra.

Ahmeti ka theksuarpër Telegrafin se pikërisht kjo pa përfillje ka bërë qe kjo opozitë të qëndrojë e bashkuar.

“Nuk është bashkim i natyrshëm andaj pritjet që do të shkojnë deri në fund bashkë janë të paqëndrueshme”, ka theksuar Ahmeti.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj, vlerëson se opozitën po i bashkon veç pushteti, e jo sipas tij, ideja për të bërë opozitë serioze.

Sipas tij, “gjatë gjithë kohës sa Isa Mustafa është në pushtet, partitë opozitare nuk ia kanë dalë të ndërtojnë një platformë të përbashkët, e cila do të ishte njëfarë alternative qeverisëse”.

“Por, duke dështuar ta bëjnë një gjë të tillë, partitë opozitare po bashkohen ‘ad hoc’ për të kundërshtuar pushtetin, ndërkohë që nesër mund të ndahen sërish, varësisht nga interesat individuale”, tha Mushkolaj për Telegrafin.

Ndryshe, sot tri partitë opozitare VV, AAK dhe Nisma për Kosovën, kanë mbajtur një takim të iniciuar nga AAK-ja lidhur me mosrespektimin e rezolutës për rrënimin e murit në veri.

Pas përfundimit të këtij takimi ku prezent ishin shefat e Grupeve Parlamentare të tria partive opozitare, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, Pal Lekaj i AAK-së dhe Haxhi Shala i Nismës për Kosovën, ka folur Pal Lekaj, i cili theksoi se qeveria po e shpërfill Kuvendin me mos zbatimin e kësaj rezolute.

“Sot mbajtëm një takim për të diskutuar mos zbatueshmërinë e rezolutës e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës. Pas diskutimit që kishim u dakorduam për këtë deklaratë. Më datë 29 dhjetor 2016 Kuvendi miratoi rezolutën që obligon qeverinë për ta rrëzuar murin e ndërtuar nga Serbia prapa urës së Ibrit . Sot është data 1 shkurt dhe qeveria ka dështuar në zbatimin e kësaj rezolute e cila është votuar edhe nga deputetët e mazhorancës. Shpërfillja në këtë mënyrë të Kuvendit, tregon përcaktimin e kësaj qeverie për shkeljen konstante të demokracisë”, ka theksuar Lekaj.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se opozita vazhdon të jetë e bashkuar sa i përket temave nacionale. Ai ka thënë se në rast se është nevoja do të organizojnë edhe protesta edhe demonstrata varësisht nga rrethanat./Telegrafi/

Exit mobile version