Site icon Telegrafi

Analistë e politikanë tregojnë se cila është zgjidhja afatgjate për veriun e vendit

Veriu i vendit vazhdon të jetë sfidë për Kosovën, për shkak se, siç thuhet, grupet kriminale serbe kanë vazhduar me sulme dhe ngritjen e tensioneve në veri.

Përfaqësuesit politik të pushtetit dhe opozitës kanë këndvështrime të ndryshme sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje afatgjate për veriun.

Përfaqësuesit e pushtetit thonë se shtrirja e legjitimitetit në atë pjesë është mënyra e vetme që veriu të jetë nën kontroll të institucioneve të Kosovës.

Në opozitë zgjidhjen e shohin përmes dialogut në Bruksel. Ndërsa, analistët thonë se zgjidhja bëhet me themelimin e Asociacionit.

Veriu i vendit gjatë vitit që lamë pas ka qenë cak u sulmeve e i tensioneve nga strukturat paralele Serbe. Për këto tensione të vazhdueshme, Qeveria e Kosovës ka akuzuar Serbinë.

Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, vlerëson se me shtrirjen e legjitimitetit në katër komunat veriore do të shmangen tensionet dhe do të zgjidhen problemet në atë pjesë.

”Paqe dhe stabilitet, rend dhe siguri, kjo është zgjidhja e përhershme dhe e duhur për veriun e Kosovës”, tha Dugolli.

Lexo po ashtu ​Akte terroriste, sulme ndaj policisë e KFOR-it, të vrarë e të plagosur gjatë vitit 2023 në veri

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, zgjidhjen e tensioneve në veri të vendit e sheh tek dialogu i Brukselit. Akuzon Qeverinë se ka pranuar një marrëveshje të dëmshme për vendin.

‘’Pa dyshim se zgjidhja duhet të jetë politike në tryezën e bisedimeve. Marrëveshja e Ohrit është shumë e mangët. Nuk është dashur që çështja e njohjes të hiqet nga marrëveshja”, tha Qalaj.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, mendon se kryeministrit Kurti i përshtatet që në veri të vendit të ketë tensione të vazhdueshme, siç thotë, për të fituar poena politik.

‘’Kurtit po i konvenon të ketë konflikt të tillë të hapur që vëmendja të jetë në veri të vendit që pastaj të marrë poena politik”, tha Kadriaj.

Analisti serb nga veriu i Kosovës, Branisllav Kërstiq, zgjidhjen afatgjate për veriun e vendit e sheh me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

‘’Të zbatohet sa më shpejtë asociacioni që është obligim i Kosovës, pastaj Beogradi do të ketë shumë presion nga faktori ndërkombëtar që të mos ndikoj në veri”, tha Kërstiq.

Ndërkohë, njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, kërkon nga institucionet e vendit që të jenë vigjilente karshi provokimeve të Serbisë.

Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia për sulme të tjera në veri.

”Të jenë në gatishmëri për reagim sepse Kosova është e rrezikuar për sulme të tjera nga grupet kriminale”, tha Elezi.

Pas sulmeve e tensioneve e që kanë ndodhur kohëve të fundit në veri të vendit, KFOR-i ka shtuar numrin e trupave në atë pjesë./RTV 21

Exit mobile version