Gjetja e zgjidhjes për daljen nga ngërçi i ri politik, nuk ishte kryetema e diskutimit të sotëm në kuvend. Seanca ishte interesante dhe aspak e mërzitme. Por, debat substancial të cilin e pret opinioni, nuk pati, njofton TV21.
Edhe pse po debatohet dy ditë për një pikë të vetme në kuvendin e Republikës së Maqedonisë, debati kryesisht po sillet rreth fjalëve të njëjta: Federalizim, shtet binacional, ndarje të Maqedonisë, “Platforma e Tiranës”…
Në seancë të martën po flitet për gjithçka, përpos për temën, që ka të bëjë me votimin e komisionit për zgjedhje dhe emërim.
Sidoqoftë, Kuvendi po nxjerr në sipërfaqe përse OBRM-PDUKM-ja është kundër dygjuhësisë. Derisa deputetet e tjerë po mbajnë fjalim në maqedonisht, deputetet e OBRM-PDUKM-së mbajnë dëgjuese për t’i kuptuar. Madje edhe deputetët e BDI-së vendosen që nga foltorja të flasin në gjuhën maqedonase.
Kur deputetët e OBRM-PDUKM-së përdornin dëgjueset kur flitej në gjuhën maqedonase, e ata të BDI-së filluan të flasin maqedonisht, deputeti i LSDM-së, edhe Muhamed Zekiri gjeti formë origjinale për komunikim.
Derisa deputetët e tjerë merreshin me rregulloren e kuvendit, dhe si të zhbllokohet kriza, Vasil Pishevit i kishte mbet gazeta e hapur, ku kryetemë ishte shërimi i dhimbjes shpirtërore të një këngëtareje.
Në kuvend nuk u pa kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, dhe në mungesë të tij deputeti Bardhyl Dauti zgjodhi që i fundit të hyjë në seancë.
Kurse Ilija Dimovski, edhe pse foli shumë herë, prapë gjeti vërejtje se si Trajko Veljanovski po e menaxhon vazhdimin e seancës konstituive./Telegrafi/